​KQZ i hap rrugën mbledhjes së nënshkrimeve në Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok

Aktuale

​KQZ i hap rrugën mbledhjes së nënshkrimeve në Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

KQZ i hap rrugën mbledhjes së nënshkrimeve në Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kthyer përgjigje zyrtare në adresë të tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, duke i hapur rrugë fazës tjetër – mbledhjes së nënshkrimeve, ka bërë të ditur zëdhënësi Valmir Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se me këtë përgjigje, KQZ ka njoftuar edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Grupet Nismëtare në këto tri komuna.

Ai ka treguar për përmbajtjen e përgjigjeve të KQZ-së.

Sipas tij, KQZ-ja ka njoftuar kryesuesit e tri kuvendeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%.

Elezi: Sipas përllogaritjeve, 3.640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale

“Së pari, nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse... Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13,441. Nga ky numër, 2,689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6,732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1,347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, tha Elezi.

Sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, “grupi nismëtar, brenda 30 ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm një herë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për 15 ditë tjera”.

Sipas pikës 7 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ, nëse pas të gjitha afateve, nuk arrihet të plotësohet numri i nënshkrimeve prej së paku 20% të votuesve të regjistruar, KQZ konstaton se kërkesa nuk është mbështetur dhe iniciativa konsiderohet e pavlefshme.

Por, sipas pikës 9 të të njëjtit nen, në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Më 12 dhjetor, të tre kryesuesit e Kuvendeve Komunale kërkuan nga KQZ-ja të dinë nëse anëtarët e grupeve nismëtare janë votues në komunat përkatëse dhe se sa është 20% i votuesve në secilën nga këto komuna. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat