​Ilir Peci i Zveçanit nuk e do shkarkimin: Në rast të zgjedhjeve të reja, e di se nuk mund të fitoj

Aktuale

​Ilir Peci i Zveçanit nuk e do shkarkimin: Në rast të zgjedhjeve të reja, e di se nuk mund të fitoj

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 12:03
Ilir Peci

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, thotë se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, është i vetëdijshëm për humbjen e tij.

Ai gjatë një interviste për Kp, u shpreh se gjithçka mbetet të shihet në të ardhmen dhe varësisht nga zhvillimet politike, do të vendos për hapat e mëtejmë, sa i përket kërkesës së qytetarëve për inicim të peticionit rreth shkarkimit.

Peci, i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryekomunarit nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se në rast të zgjedhjeve të reja, ai do të humb, ndonëse nuk është i sigurt nëse do të kandidojë sërish, për shkak se siç tha ai, kjo varet nga partia.

Peci: Me kohë do të vendosim për çka do që është në të mirën e qytetarëve dhe të mirën e shtetit

“E theksoj, me kohë do të vendosim për çka do që është në të mirën e qytetarëve dhe të mirën e shtetit do të veprojmë… Gjithçka mbetet të shihet në të ardhmen, të shohim si po zhvillohet situata politike, as unë dhe as tre kolegët e mijë të pjesës veriore nuk mendoj se janë për ndonjë të keqe të vendit të tyre. Po besoj se të katërtit do të jemi të një fjale dhe vendimi, dhe çka do që është në të mirë të vendit do ta bëjmë patjetër, pa marrë parasysh nëse japim dorëheqje ose jo, do të vendosim së bashku për të mirën e vendit… Nëse serbët veç kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje, ne e dimë se nuk mund të fitojmë aty ku shumica janë serbë, mirëpo a do të kandidoj unë ose jo, kjo nuk varet nga unë, varet nga partia, votuesit, këshilli, të shohim”, tha ai.

I pari i Komunës së Zveçanit flet edhe për raportet me qeverinë, të cilën e akuzoi për mos interesim të duhur për ta mbështetur nga fillimi në punën e tij.

Sipas tij, Komuna po përballet me vështirësi të shumta, duke potencuar mungesën e hapësirave si sfidën kryesore.

Peci: Qeveria nuk ka qenë e interesuar të na përkrahë nga fillimi

“Vetë fakti se buxheti na është vonuar rreth tre muaj e gjysmë dhe disa çështje tjera, nënkupton se qeveria nuk ka qenë e interesuar të na përkrahë nga fillimi, mirëpo për momentin raportet komunë-qeveri janë më stabile… Sfida kemi mjaft, së pari hapësira e objektit e cila na krijon probleme të mëdha… sfida kemi, por sidoqoftë kemi arritur diçka të punojmë, jemi në përfundim të gjërave që janë të rëndësishme për qytetarët… Për qytetarët serbë kemi ndriçimin në Banjskë, që ka qenë kërkesë e vetë banorëve të fshatit, sot jemi duke u marrë me një serbe e cila vuan nga një sëmundje dhe jemi në procedurë që të gjejmë një mundësi nga zyra e kryetarit që t’i ndihmojmë me një shumë të mjeteve për ndihmë asaj. Po ashtu, Kuvendi ka marrë vendim që për çdo foshnje të lindur në 2023 familjes t’u ndihmohet me 200 euro, këtu kemi kërkesa nga qytetarët serbë e shqiptarë, sa i përket fshatrave këtu, ka qenë po ashtu i nevojshëm pastrimi i rrugës, kërkesë e prindërve ka qenë edhe transporti për nxënës në shkolla, gjë që është në përfundim e sipër”, tha ai.

Ai theksoi se për këto shtatë muaj ka arritur t’i realizojë 80 për qind të kërkesave të qytetarëve të kësaj komune pa dallim, duke përmendur ndriçimin publik në Banjskë, ndihmën financiare për personat me sëmundje të rënda dhe për foshnjet e lindura gjatë këtij viti, pastrimin e rrugëve të ndryshme etj.

Megjithatë, shtoi ai, edhe pse buxheti komunal prej 3 milionë euro ka qenë i mjaftueshëm, Komuna nuk ka arritur t’i realizojë të gjitha kërkesat e qytetarëve deri tani, për shkak të kohës së shkurtër dhe vështirësive të ndryshme.

Peci: Kërkesat e qytetarëve shqiptarë e serbë, i kemi mbuluar rreth 80 për qind

“Janë gjëra të mira të cilat janë kryer për qytetarët, mirëpo s’kemi arritur t’i realizojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve sepse ka qenë kohë shumë e shkurtër dhe e vështirë për ne… Në vitin 2023 buxheti ka qenë i mjaftueshëm sepse nuk është shfrytëzuar nga qeverisja e kaluar… Kërkesat e qytetarëve, pa i ndarë në shqiptarë e serbë, i kemi mbuluar rreth 80 për qind.. Ka qenë (buxheti) rreth 3 milionë euro për vitin 2023’, ka thënë Peci.

Ndryshe, kryetari i Zveçanit Ilir Peci, së bashku me atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kryejnë detyrat e tyre nga objektet alternative, derisa kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi që udhëheqë me Leposaviqin, të dy këta nga Vetëvendosje, ushtrojnë detyrën nga objektet komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat