​Shkarkimi i Agron Bekës, KPK: Po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues

Aktuale

​Shkarkimi i Agron Bekës, KPK: Po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 22:22
​Shkarkimi i Agron Bekës, KPK: Po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka akuzuar Kuvendin e Kosovës për shkelje ligjore me rastin e shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së, pasi sipas këtij këshilli, institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.

Në një reagim për media, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor.

“Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj. KPK-ja, ka njoftuar opinionin e gjerë se anëtari i KPK-së, Agron Beka, ka ofruar një mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar”, thuhet në reagim.

KPK thotë se një gjë e tillë vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e Beka, pa asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite.

KPK-ja vlerëson se Beka nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij dhe asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë, por me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese.

“Shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend. KPK njofton opinionin e gjerë se do të përdorë të gjithë mekanizmat e saj kushtetues dhe ligjor për ta kontestuar këtë paligjshmëri që bëri sot pushteti ndaj KPK-së”, përfundon reagimi i KPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat