Nesër mbahet konferenca e parë mbi ecurinë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës

Aktuale

Nesër mbahet konferenca e parë mbi ecurinë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 18:37
Haxhi Shala

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë një jave.

Ai tha se konferenca e parë mbi ecurinë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës është caktuar të mbahet nesër (15 dhjetor).

Lidhur me arrestimin e Haxhi Shalës, në këtë konferencë u tha se në zhvillime të tjera, ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit të transferimit dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Haxhi Shala u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të nesërmen, më 12 dhjetor dhe paraqitja e parë e tij para gjykatësit të Procedurës Paraprake u mbajt më 13 dhjetor. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe se i akuzuari i kupton akuzat e ngritura kundër tij. Aktakuza e konfirmuar akuzon Haxhi Shalën për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi. Akuzat kanë të bëjnë me takime të pretenduara me një dëshmitar për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha Doyle.

Zëdhënësi Dolye në fillim të kësaj konference, tha Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës, shqiptoi aktgjykimin e parë të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në çështjen gjyqësore që ka lidhje me krime lufte.

“Rrjedhimisht, Paneli i Apelit zvogëloi dënimet individuale të dhëna ndaj z. Mustafa për krimet e luftës që ishte shpallur fajtor dhe zvogëloi dënimin e njehësuar nga 26 në 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, tha Dolye.

Lidhur me procesin e ndaj Nasim Haradinajt, zëdhënësi i DhSK-së tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, më 12 dhjetor 2023, vendosi të modifikojë dënimin e Haradinajt për lirimin e tij më 14 dhjetor, ose rreth asaj date, me kushtet e përcaktuara në vendim.

“Në përputhje me vendimin, z. Haradinaj u lirua sot. Kushtet e lirimit të tij do të jenë në fuqi gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit me burgim që i është shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, përkatësisht për pjesën tjetër të mbetur të dënimit prej katër vjet e tre muaj”, tha zëdhënesi Dolye, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Dolye, në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, të enjten e kaluar dhe të hënën e kësaj jave, ish-zyrtarja e OSBE-së, Sandra Mitchell vazhdoi me dhënien e dëshmisë.“Të hënën, dëshmitari i 39-të i thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore filloi me dhënien e dëshmisë. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në sallë të gjyqit nga Prokuroria, dëshmitari ishte arrestuar nga shqiptarët të armatosur në korrik 1998, disa nga të cilët kishin të veshur uniforma të zeza, dhe më pas ishte dërguar në Budakovë. Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 12 dhjetor, trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e prokurores së specializuar për të pranuar si prova disa deklarata të dëshmitarëve, së bashku me dokumentacion dhe prova materiale shoqëruese me shkrim”, tha ai.

I njëjti shtoi se më 13 dhjetor, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të urdhëruar masa për mundësimin e dhënies së dëshmisë në sallë të gjyqit nga një dëshmitar i punësuar në një organizatë ndërkombëtare.Ndërsa, lidhur me seancën e të martës në këtë proces u tha se mbrojtja e Kadri Veselit kërkoi shtyrje të seancës për këtë javë për shkak të vdekjes së anëtarit të ekipit të mbrojtjes, Andrew Strong. Ndërsa, trupi gjykues anuloi seancat e caktuara për këtë javë. Gjykimi do të rifillojë më 15 janar 2024.

Lidhur me gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Dolye tha se më 11 dhjetor, trupi gjykues lëshoi vendimin e katërt për heqjen e redaktimeve ose përfshirjen e redaktimeve të reja në transkripte të seancave dhe riklasifikim të tyre.Për të respektuar parimin e gjykimit publik, zëdhënësi Doyle tha se trupi gjykues autorizoi, ndër të tjera, riklasifikimin si publike të pjesëve të transkripteve të seancave private të mbajtura midis 21 gushtit dhe 3 tetorit 2023.

“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 12 dhjetor, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes për pranim si provë të një materiali që lidhet me dëshminë e një dëshmitari. Seanca vijuese në gjykimin e Pjetër Shalës është caktuar të mbahet pas pushimit dimëror të gjykatës, më 9 janar 2024”, deklaroi Zëdhënësi i DhSK-së.Në çështjen gjyqësore Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes u mbajtur të enjten, tha zëdhënësi Dolye.

Në fund të kësaj konference, Dolye tha se pushimi dimëror i DhSK-së fillon të hënën, 18 dhjetor dhe zgjat deri të premten, 5 janar 2024. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, nuk ka seanca, dhe disa shërbime jothemelore funksionojnë në nivel minimal. Megjithatë, ai shtoi se gjykata do të jetë në funksionim të plotë dhe puna do të vijojë si zakonisht në të gjitha njësitë e DHSK-së.Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat