Apeli merr vendim, ja me sa vite burgim dënohet Salih Mustafa

Aktuale

Apeli merr vendim, ja me sa vite burgim dënohet Salih Mustafa

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 10:51 më 14.12.2023
Salih Mustafa

Salih Mustafa dënohet me 22 vjet burgim nga Apeli i Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim nga trupi gjykues i Apelit në Gjykatën Speciale, 4 vjet më pak nga dënimi i shkallës së parë.

“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues tha se Mustafa në disa prej pikave të apelit të tij “nuk arriti t’i mbështeste argumentet e tij me jurisprudencën përkatëse”.

Duke folur fillimisht për “mangësi” në apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë nga Mustafa, kryegjykatësja tha se “në raste të tjera paneli i Apelit disa argumente i ka rrëzuar pa e shqyrtuar thelbin e tyre”.

Trupi gjykues i Apelit disa prej kundërshtimeve të Salih Mustafës i hodhi poshtë me arsyetimin se ato “nuk i ka ngritur në gjykim”.

Apeli konstatoi se Mustafa “kishte synim të drejtpërdrejtë për vrasje të paligjshme”, duke i dhënë të drejtë gjykatës së shkallës së parë se “personi i përmendur si viktima e vrasjes së poaligjshme u vra midis 1 prillit 1999 dhe fundit të prillit 1999 si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të z. Mustafa dhe vartësve të tij të BIA-s”.

“Trupi gjykues konstatoi se afërsisht midis 1 prillit ’99 dhe rreth 19 prillit 1999 në kompleksin e ndalimin në Zllash, që ishte bazë e njësitit gueril BIA në Zllash, të paktën 6 personave iu hoq liria nga anëtarë të BIA-s që ishin nën kontrollin dhe pushtetin e komandantit të BIA-s, z. Mustafa.

z. Mustafa dhe anëtarë të tjerë të BIA-s i mbajtën të ndaluarit në kushte ndalimi çnjerëzore dhe poshtruese dhe i keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht dhe psikologjikisht.

Së fundi, trupi gjykues konstatoi se personi i përmendur si viktima e vrasjes së poaligjshme u vra midis 1 prillit 1999 dhe fundit të prillit 1999 si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të z. Mustafa dhe vartësve të tij të BIA-s.

Aktgjykimi do të publikohet sot në faqen e Gjykatës Speciale dhe do t’i dorëzohet me shkrim Salih Mustafës.

Mustafa më 16 dhjetor 2022 ishte dënuar në shkallë të parë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Mustafa pret aktgjykimin e Apelit, kryetarja e trupit gjykues: Moment i rëndësishëm për Gjykatën Speciale

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po pret aktgjykimin e Apelit në Gjykatën Speciale në Hagë.

Kryetarja e trupit gjykues ka nisur të tregojë argumentet e trupit të gjykatësve të Apelit.

Ajo fillimisht foli për aktgjykimin e sotëm si “moment të rëndësishëm për Dhomat e Specializuara”.

Apeli i Gjykatës Speciale sot do të shpallë aktgjykimin e parë, ndërsa kryetarja e trupit gjykues tha se ky është “hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe llogaridhënies”.

Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për vrasje në shkallë të parë për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Nis seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, pritet vendimi i Apelit

Në Hagë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës ku pritet të jepet vendimi i Apelit.

Kujtojmë se Salih Mustafa është dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.

Ndryshe, gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor.

Sot shpallet aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

Gjykata e Apelit sot do të shpallë aktgjykimin në çështjen e Salih Mustafa, i dënuar më 26 vjet burgim për krime lufte nga Trupi i Gjykatës Speciale.

Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).

Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

close

volume_off

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Versioni i redaktuar i fundit i dosjes së korrigjuar të apelit të Mbrojtjes u dorëzua më 15 shtator 2023. Seanca e apelit u mbajt më 26 dhe 27 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat