LIVE: “100 eurot e Kurtit” shkaktojnë përplasje të forta në Kuvend, VV-ja voton kundër amandamentit që lidhet me paga

Aktuale

LIVE: “100 eurot e Kurtit” shkaktojnë përplasje të forta në Kuvend, VV-ja voton kundër amandamentit që lidhet me paga

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 13:45 më 14.12.2023
Kuvendi i Kosovës

Haradinaj, Kurtit: Nëse s’e tërheq këtë buxhet, qytetarëve iu sugjeroj të të shpallin “non grata”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot në kuvend është nxjerrë për miratim buxheti më skandaloz që e ka pasur Kosova ndonjëherë.

Haradinaj i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që ta tërheq projektbuxhetin aktual përpara se sipas tij, të përballet me padëgjueshmëri qytetare.

“Diskriminimi që u ka bërë Albin Kurti komunave që nuk janë nën qeverisjen e partisë së tij, nuk ka ndodhur as në kohën e Rankoviqit. Me këtë buxhet Albin Kurti i ka shpallë luftë të hapur qytetarëve të këtij vendi, duke ja u pakësu edhe bukën”.

“Nëse nuk e tërheqë këtë buxhet, u sugjeroj qytetarëve të komunave të dëmtuara, të të shpallin ‘nongrata’”, tha Haradinaj.

Aktualisht, në kuvend po diskutohen amendamentet e propozuara për buxhetin e vitit 2024, por mazhoranca nuk e ka përkrahur asnjë amendament të propozuar nga opozita.

Hoti: 100 euro e zgjidhin problemin vetëm për një vikend

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se vendimi i Qeverisë për ndarjen  e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, ka kosto mbi 50 milionë euro, por se prapë nuk e zgjidh problemin.

Këtë deklarim Hoti e ka bërë ne seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet Projekt-buxheti për vitin 2024. Hoti ka propozuar amandament për indeksimin e pensioneve dhe skemave pensionale.

Hoti tha se përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rritur nga 38 në afër 60 përqind dhe se shtesa prej 100 euro e zgjidh problemin e familjeve vetëm për një vikend.

“Ne e pamë dje një vendim që e ka marrë Qeveria që buxhetit të Kosovës i kushton mbi 50 milionë euro dhe nuk e zgjidh problemin. Para dy viteve, ju kemi dhënë rekomandime këtu në këtë Kuvend kur kemi pas debat parlamentar për shkak të inflacionit që të indeksohen pensionet dhe skemat sociale në mënyrë që së paku të mbrohet shtesa më e ndishme e kësaj shoqërie dhe tash merren vendime në qeveri duke shfrytëzu buxhetin e fundvitit të cilat e zgjidhin problemin e këtyre familjeve vetëm për një vikend të vetëm. Ndërkohë, që ky amanament kërkon që të indeksohen për normën e inflacionit dhe të mbrohet fuqia blerëse e këtyre familjeve”.

Raporte kredibile vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se numri i familjeve në varfëri është rrit me 10 përqind për shkak të inflacionit të lartë në dy vitet e fundit. Përqindja e buxhetit të familjeve që shkon  për produkte ushqimore është rrit nga 38 në afër 60 përiqnd, prandaj kjo është e domosdoshme që të bëhet zgjidhje afatgjate. Prandaj ky amandament mundëson që të zgjidhet problemi më afatgjatë e jo me ndihma të njëhrshme që e zgjidhin problemin e këtyre familjeve veç për një vikend”, ka deklaruar Hoti.

Por, amandamenti i tij nuk gjeti mbështetje, ku vetëm 22 deputetë e përkrahën, 56 votuan kundër dhe tre abstenuan.

“Konstatoj se Kuvendi nuk e miratoi amandamentin me nr 5”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

​Projektligji për buxhetin, Tahiri: Është kthyer në një dokument të një partie politike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Projektligji për ndarjet buxhetore është kthyer në një dokument të një partie politike ose e një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve.

Në seancën plenare, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky ligj i ka 64 amendamente dhe se prej tyre asnjë nuk do të miratohet.

Tahiri: Para vetes kemi ligjin i cili është kthyer në një dokument të një partie politike

“Kemi para nesh jo ligjin për buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, por ligjin i cili është kthyer në një dokument të një partie poltiike, të një kabineti qeverisës që ka mbështetjen e këtyre deputetëve e fatkeqësisht këta deputetë nuk i ka vet askush dhe asnjë amandament të vetëm nuk kanë mundur ta fusin në këtë ligj. Është qeveria në emër të votës së tyre përcakton dhe bënë çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente dhe prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik që shfrytëzon buxhetin për përfitime partiake në kurriz të këtyre deputetëve, për të shpërndarë ndihma dhe për dështimet e politikave qeverisëse që i kanë pasur gjatë këtyre tri viteve”, tha Tahiri.

Tahiri ka akuzuar qeverinë për ngecje të investimeve kapitale, për çfarë tha se mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara.

Tahiri: A jeni të vetëdijshëm që shpenzimi i buxhetit për investime kapitale për këtë vit është 35 për qind

“A jeni të vetëdijshëm që për vitin 2022 shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë vec 60 për qind, ndërsa për vitin 2023 ka qenë vetëm 35 për qind e që po themi se do të arrijë tek 60 për qindëshi... Për dy vite rresht kjo qeveri nuk ka arritur të investojë në projektet kapitale 80 për qind të buxhetit të vet...Mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende janë të pafilluara, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arrit deri në shtator t’i nis 167 projekte, Ministria e Kulturës 165, Ministria e Arsimit 43, Ministria e Financave 35, Ministria e Pushtetit lokal 31, Ministria e Punëve të Brendshme 27, Ministria e Shëndetësisë 18, Ministria e Drejtësisë, 18, e Bujqësisë 14, e Zhvillimit Rajonal 11, Ministria e Ekonomisë 9, Ministria e Punëve te Jashtme të Diasporës 9 e kështu me radhë ”, shtoi Tahiri.

Vetëvendosje voton kundër rritjes së koeficientit të pagave për sektorin publik

Shumica parlamentare ka votuar kundër propozimit për rritjen e koeficientit të pagës, nga 110 sa është në projektbuxhetin për 2024 të rritet në 115 euro për vitin 2024.

Ky propozim ishte i deputetit të shumicës, Eman Rrahmani, i cili nuk gjeti mbështetje te bashkëpartiakët e tij.

Ndryshe, sot në Kuvend po mbahet seanca plenare për shqyrtim të dytë të Projektligjit për buxhetin 2024, i cili pritet të jetë rreth 3.3 miliardë euro.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit me 64 amendamentet e propozuara kryesisht nga deputetët e opozitës, e të cilat nuk kanë marrë përkrahjen e Komisionit.

Opozita kërkon lexim të tretë të Ligjit për Buxhetin 2024

Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kundërshtimet për Projektbuxhetin e vitit 2024. Armend Muja, kryetari i Komisionit për Projektbuxhetin, ka deklaruar se ka pritur rekomandimet dhe kërkesat e deputetëve, e të cilat i kanë zbatuar me ndërhyrje në këtë dokument.

“Pas të gjitha diskutimeve, është miratuar raporti me amandamente. Komisioni për Buxhet ka pasur disa ndërhyrje teknike te pjesa tabelare dhe tekstuale. Ne ua rekomandojmë deputetëve që ky ligj të miratohet”, ka thënë Muja.

Hykmete Bajrami në cilësinë e përfaqësueses së LDK-së, ka thënë se është dashur që ky projektbuxhet të shkoj në lexim të tretë.

“Në mes të dates 31 tetor kur Qeveria e Kosovës e ka përcjellë Ligjin e draftbuxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe ditën kur po e lexojmë sot kanë ndodhur disa gjëra, e ne mendojmë që Qeveria është dashur të reflektojë dhe në fakt ta tërheq ligjin dhe ta kthej për një rialokim komplet tjetër ose të shkoj ky ligj nga sot në lexim të tretë”, ka deklaruar Bajrami.

Bajrami ka përmendur rezultatet e PISA-s, duke pasur kritika për Ministrinë e Arsimit, e duke kërkuar ngritjen e pagave për mësimdhënësit.

Lushtaku thotë se Qeveria në fund të vitit po i mashtron qytetarët me 100 euro

Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Qeveria e Kosovës me ndihmën prej 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët ka mashtruar qytetarët e vendit.

Kjo pasi sipas Lushtakut, përgjatë tërë vitit Qeveria nuk është kujtuar të ndihmojë këtë shtresë të qytetarëve.

“Për fat të keq në kurrizin e qytetarëve po e shohim se çfarë është në gjendje të bëjë Qeveria Kurti vetëm për t’i mashtruar qytetarët dhe vetëm për të paraqitur hipokrizinë e tyre, edhe në fund të vitit duke bërë që gjoja në fund të vitit po e ndihmon qytetarin dhe kategoritë më të ndjeshme. Ndërsa këtu 11 muaj nuk është kujtuar që të ndihmojë ato shtresa të qytetarëve siç jane fëmijët dhe pensionistët”, tha Lushtaku në foltoren e Kuvendit.

Derisa sipas deputetit të PDK-së, Qeveria Kurti do të mbahet në mend vetëm për demagogji dhe keqqeverisje.

“Puna e mirë shihet në mëngjes çdo herë është thënë dhe kemi pa që nga fillimi i kësaj Qeverie asnjëherë nuk kanë ditur as të planifikojnë, por as të realizojnë as një projekt kapital. Prandaj sigurisht që edhe do të mbahen në mend vetëm për dëmagogji dhe vetëm për keqqeverisje, për mungesë të transparencës, për bllokim të komisioneve hetimore, për fshehje të hajniv,e dhe për degradim të çdo institucioni dhe çdo dinjiteti të qytetarëve të vendit”, shtoi Lushtaku.

Tahiri i AAK-së: Qeveria e paaftë, 80 përqind e projekteve kapitale janë të pafilluara

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën për projektbuxhetin e vitit 2024 ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar ta ndryshojë situatën.

Sipas tij në dy vitet e fundit qeveria ka dështuar të bëjë investime të mëdha.

“Për vitin 2022 shpenzimi i buxhetit ka qenë veç 60 përqind për investime kapitale, kurse për vitin 2023 veç 35 përqind deri në shtator. 80 përqind e investimeve për rrugë, shkolla… nuk janë investuar për shkak të neglizhencës së qeverisë”, ka thënë Tahiri.

“Mbi 1,700 projekte kapitale për vitin 2020 janë të pafilluara deri në shtator. Kabineti qeveritar është i paaftë për ta ushtruar mandatin kushtetues”.

Tahiri ka thënë se 83 përqind e projekte për vitin 2024 janë të bartura, kurse 17 përqind janë të reja. Ai duke iu drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje ka shtuar se ata janë më gjatë në pushtet sesa që AAK-ja ka qenë përgjatë dy mandateve.

Kuvendi sot do të shqyrtojë buxhetin e vitit 2024

Kuvendi i Kosovës sot do të bëj shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës javë më parë ka miratuar në parim Projektligjin për buxhetin e vitit 2024, me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e opozitës kishin lëshuar sallën, për të mos marrë pjesë në këtë votim.

Buxheti i vitit 2024 është paraparë të jetë mbi 3.3 miliardë euro.

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024 është përcjellë me kritika e akuza të shumta. Opozita nuk i ka mbështetur ndarjet e parapara buxhetore nga ekzekutivi.

Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se me buxhetin 3.3 miliardë euro do të përforcohet mbrojtja, siguria e mirëqenia e qytetarëve.

Projektbuxheti parasheh që mbi 1 miliard euro të shkojë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga e shtesa dhe afro 500 milionë euro për mallra dhe shërbime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat