​Lista “Beteja politika shqiptare vazhdon”, Shaip Kamberi: Më 17 dhjetor votoni listën numër 13

Aktuale

​Lista “Beteja politika shqiptare vazhdon”, Shaip Kamberi: Më 17 dhjetor votoni listën numër 13

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 21:37
Shaip Kamberi

Sonte është mbajtur një tubim mbështetës për Listën “Beteja politika shqiptare vazhdon-Shaip Kamberi”, me qëllim të mobilizimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare më 17 dhjetor në Serbi.

Bartësi i Listës, Shaip Kamberi, ka thënë se kjo është hera e parë qëkur shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin pjesë në zgjedhje në Serbi të mbahet një tubim i tillë në Prishtinë, teksa pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë tubim e ka parë si një dëshmi të mbështetjes institucionale të Kosovës.

Kamberi: Kurti po ofron stabilitet rajonal, Vuçiq po e bën të kundërtën

“I nderuar kryeministër (Albin Kurti), unë e vlerësoj prezencën e juaj këtu jo vetëm si një dëshmi për mbështetjen tuaj ndaj Listës sonë, por si një kontribut të jashtëzakonshëm në stabilitetin rajonal që po ofroni me këtë rast, sepse duke iu kërkuar shqiptarëve që përmes rëndësisë institucionale të luftojnë për të drejtat e veta, ju e bëni të kundërtën e asaj që e bën presidenti serb (Aleksandar Vuçiq), sepse duke e keqpërdorur pakicën e vet në Bosnjë, në Mal të ZI, duke i çuar serbët e Kosovës në terrorizëm, ai tenton të destabilizojë Ballkanin”, ka thënë Kamberi.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi, Kamberi tha se organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve në këtë vend dëshmon se Serbia është shtet i decentralizuar, i udhëhequr nga një president autoritar, i cili shpall zgjedhje sa herë që mendon se do t’i fitojë ato.

Kamberi: Nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa kërkojnë të tjerët për vete

“E jona është që edhe përmes zgjedhjeve të radhës, me angazhimin tonë politik të bëjmë luftën dhe të bëjmë atë që e thotë slogani jonë të vazhdojmë betejën tonë politike për të drejta, për barazi dhe për liri, sepse nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa kërkojnë të tjerët për vete. Ajo që është e drejtë për të tjerët do të jetë e drejtë edhe për neve, pavarësisht se sa është refuzues sot Beogradi”, tha Kamberi.

Ai ka folur edhe për atë se shqiptarët e Preshevës në këto zgjedhje garojnë me dy lista, gjë e cila sipas tij, nuk është rezultat i ambicieve personale, por çështje e konceptit politik, teksa shtoi se Lista “Beteja politike shqiptare vazhdon” ka zgjedhur konceptin e rezistencës ndaj Serbisë dhe bashkëpunim të plotë me Republikën e Kosovës.

Kamberi: Të mobilizoheni që më 17 dhjetor të votoni listën me numër 13

“Beteja jonë politike të dielën më 17 dhjetor, ka të bëjë jo vetëm me atë se a do të fitojmë një mandat, jo vetëm me atë se a do të kemi një deputet në parlament, por edhe me atë se çfarë koncepti politik zotëron në Luginë të Preshevës në lidhje me bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, prandaj është e rëndësishme pjesëmarrja juaj... Më 17 besoj se secili ka një punë private, të biznesit, të familjes, por megjithatë ajo që është detyrë e secilit t’iu kujtohen fjalët e artistit të madh Reshat Arbana në një rast në një intervistë të mëhershme që pati thënë se çdo njeri vdekjen ia ka borxh Zotit, por jetën ia ka borxh vatanit...Të mobilizoheni që më 17 të votoni listën me numër 13”, ka thënë Kamberi.

Ai tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të ndalen në betejën e tyre politike derisa ata të trajtohen si qytetarë të barabartë, pasi që atyre po iu mohohen të drejtat fundamentale. Në këtë drejtim ai kërkoi edhe thellimin e raporteve institucionale të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Në këtë tubim mbështetës ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se koalicioni i drejtuar nga Shaip Kamberi lufton për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe si i tillë duhet ta merr edhe mbështetjen në zgjedhjet e së dielës.

Kurti: Lista Shaip Kamberi ka mbështetjen për t’iu kundërvënë regjimit të Vuçiqit

“Pesë parti janë bashkuar duke mbledhur kështu gjithë votuesit shqiptarë në Luginë, për ta nxjerrë fitues koalicionin me numrin 13, koalicionin me bartës të listës, Shaip Kamberi në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ky koalicion me figura që bartin integritet të lartë, moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetet të tyre politike dhe për liritë e shqiptarëve në Luginë, kanë të gjithë mbështetjen që ju duhet për t’iu kundërvënë regjimit autoritar e antishqiptar të Vuçiqit në Serbi, në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar atje. Po e quajmë regjim edhe antishqiptar përveç se autoritar për shkak se jeta juaj, por edhe shifrat e dëshmojnë dhe e vërtetojnë një gjë të tillë,” tha Kurti

Kurti theksoi se mos lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar, mungesa e qasjes në drejtësi, siguri e ekonomi, mospranimi i diplomave të universiteteve, moslejimi i teksteve shkollore nga Kosova përbëjnë shkelje elementare të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kurti: Serbia ka për qëllim shpopullimin e Luginës së Preshevës

“Pasivizimi i adresave shqiptare në Luginë që nga organizata ndërkombëtare Amnesty International, por edhe komuniteti për të drejtat e njeriut, u vlerësua si spastrim etnik përmes metodave administrative kundër shqiptarëve, mos lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar në Luginë që nuk gjen shembull tjetër të shkeljes të ndonjë komuniteti me pakicë në rajon apo në botë, mos ekzistenca e shqiptarëve në institucione shtetërore në Serbi , mungesa e qasjes në drejtësi, siguri e ekonomi, mospranimi i diplomave të universiteteve të Kosovës, moslejimi i teksteve shkollore nga Kosova përbëjnë elemente të këtij sulmi shtetëror ndaj shqiptarëve në Preshevë Medvegjë e Bujanoc ...Janë shkelje të të drejtave themelore të shprehjes, identitetit, gjuhës, traditës, kulturës e që për qëllim e kanë shpopullimin e këtyre tri komunave, ku shqiptarët janë autokton,” u shpreh ai.

Ndryshe, para dy vjetësh në zgjedhjet parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës morën pjesë me një koalicion të përbashkët “Shqiptarët e Bashkuar”, me kryetar Shaip Kamberin, i cili fitoi dhe një vend në Parlamentin e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat