Qeveria ndau miliona euro, ekonomisti: Nuk i takon të bëjë ndërhyrje kaq të mëdha buxhetore

Aktuale

Qeveria ndau miliona euro, ekonomisti: Nuk i takon të bëjë ndërhyrje kaq të mëdha buxhetore

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 19:33
Erton Bega

“Buxhetin zakonisht e miraton Kuvendi, nuk është në dorën e Qeverisë që të bëjë ndërhyrje e lëvizje kaq të mëdha buxhetore”, deklaroi kështu, ekonomisti, Erton Bega.

Teksa komentoi vendimin e Qeverisë për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, për muajin dhjetor, Bega tha se e keqja e këtij miratimi, ndërlidhet me faktin që këto të ardhura nuk janë të vazhdueshme për këto kategori.

“Nëse e shohim në aspektin e menaxhimit të financave publike, kjo është një praktikë e panjohur për shtetet demokratike. Buxhetin zakonisht e miraton Kuvendi, nuk është në dorën e Qeverisë që të bëjë ndërhyrje e lëvizje kaq të mëdha buxhetore. Përkitazi me këtë, në raportin e progresit, Qeveria ishte kritikuar për mungesë të transparencës fiskale. E keqja qëndron se këto janë të ardhura të jashtëzakonshme, nuk janë të ardhura të vazhdueshme”, theksoi Bega në emisionin “Ditari”.

Sa i përket skemës pensionale për pensionistët, ekonomisti tha se Qeveria fillimisht do duhej ta shikonte rritjen e kostos së jetesës, për të vazhduar pastaj me rritjen e pensioneve bazike.

“Skema pensionale për pensionistët të cilët marrin nga 100 euro në muaj, është e pamjaftueshme për t’i mbuluar nevojat e tyre, prandaj nevojat e tyre nuk trajtohen në këtë formë. Nëse Qeveria e ka seriozisht të merret me kategori sociale, ajo duhet të shikojë se sa është rritur kostoja e jetesës dhe të ndryshojë ligjin adekuat, kështu duke i rritur pensionet bazike, në përputhje me rritjen e kostos së jetesës”, potencoi ai.

Krahas kësaj, Bega përshëndeti shtesat e fëmijëve, duke potencuar që çdo familje në Kosovë do të përfitojë nga kjo skemë.

“Ndërsa, edhe skema e fëmijëve është e mirëseardhur, sepse pothuajse çdo familje në Kosovë përfiton nga kjo skemë, mirëpo si e tillë konsiderohen masa populiste, e pa efekt afatgjatë”, tha ai.

Më tej, ekonomisti vlerësoi që me miratimin e këtyre shtesave, mund të ketë nxitje për inflacion në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat