Kërkesa për largimin e kryetarëve në veri, Hovenier i kërkon Qeverisë që t’ua garantojë te drejtën qytetarëve

Aktuale

Kërkesa për largimin e kryetarëve në veri, Hovenier i kërkon Qeverisë që t’ua garantojë te drejtën qytetarëve

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 12:20
Ambasadori Hovenier

Ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibile dhe të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar që banorët, që dëshirojnë të largojnë kryetarin e komunës së tyre, të mund të veprojnë ashtu.

Ai i është referuar mundësisë që ofron një udhëzim administrativ, i hartuar nga pushteti, në shtator të këtij viti, i cili parasheh marrjen e disa hapave për largim të kryetarit.

Ambasadori amerikan ka thënë se udhëzimi është publikuar pas një kërkese direkte të SHBA-së dhe BE-së që Kosova të krijojë sistem që qytetarët të mund të largojnë një kryetar, nëse synojnë diçka të tillë.

“SHBA-ja e ka përsëritur se ndonëse katër kryetarët janë zgjedhur në mënyrë ligjore, askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhjet që kanë pasur dalje më pak se 4 për qind të numrit total të qytetarëve të regjistruar”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja do të shqetësohet nëse nuk do të ketë fleksibilitet të pushtetit në këtë drejtim.

“Qytetarët gëzojnë të drejtën demokratike, nëse dëshirojnë të nisin një proces për largim të kryetarëve, janë disa kërkesa që të arrihet deri aty, mirëpo presim që pushteti qendror të bëjë gjithçka që mundet, jetë shumë fleksibil, në përputhje me ligjin, që të garantojë që qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre”.

Ditë më parë, qytetarët e katër komunave kanë nisur kërkesë te kryetarët e kuvendeve komunale – siç e parasheh udhëzimi – për largim të kryetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin u ka thënë mediave lokale në gjuhën serbe se e ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të komunës “për shkak të arsyeve formale”.

Në deklarimin e tij është thënë se grupi i qytetarëve nuk ka vepruar në pajtim me udhëzimin administrativ dhe se ai nuk mundet “të veprojë dhe të konsiderojë apo të regjistrojë grupin si person të autorizuar”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat