Krasniqi: Shqetësuese, vrasja e Liridonës do të gjykohet nga kjo prokurore serbe

Aktuale

Krasniqi: Shqetësuese, vrasja e Liridonës do të gjykohet nga kjo prokurore serbe

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 11:33
Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Vrasja e Liridonës, një ndër rastet më tragjike në Kosovë pas luftës, do të hetohet nga prokurorja serbe, Javorka Perlinçeviç.

Rasti i është ndarë prokurores serbe, pasi në fazën fillestare u hetua nga prokurorja Besa Limani, e cila së shpejti pritet të pensionohet. Gazetari Vullnet Krasniqi tha në një intervistë për “Good Morning Albanians” se rasti i kaloi kësaj prokuroreje vetëm në bazë të radhitjes.

“Është shqetësuese se si ky rast kaq i rëndë i një rëndësie të tillë i është lënë në dorë një prokuroreje e cila pritet të dalë shumë shpejt në pension. Kjo tregon joseriozitetin në Kosovë me të cilën prokuroria e ka trajtuar këtë. Ky rast i ka kaluar prokurores serbe në bazë të radhitjes, pas ndonjë diskutim të mëparshëm se kush është më e afta. Dosja e hetimit deri më tani është bërë në gjuhën shqipe, nuk e dimë se sa kohë do duhet që prokurorja të njihet me çështjen. Çështja do të gjykohet në Prishtinë dhe prokurorja serbe do shoqërohet nga përkthyesi”,-tha gazetari.

Gazetari tha gjithashtu se prokurorja Perlinçeviq nuk ka pasur ndonjë rast të madh e publik në karrierën e saj.

Megjithatë nga rastet e trajtuara nga kjo prokurore, vlen të theksohet vrasja e një personi te nënkalimi në Prishtinë. Aty një i dyshuar pas një sulmi fizik, e kishte shtyrë shkallëve viktimën, i cili nga goditjet kishte vdekur. Prokurorja serbe e kishte cilësuar veprën si “Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg.

Perlinçeviq jeton në Shtërpcë, kurse provimin e Jurispodencës e kishte kaluar në Beograd. Ajo punon si prokurore që nga viti 2012.

Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shpërndarë në burgje të ndryshme. Ndaj Plavës, kishte pasur edhe një tentim për ta sulmuar në burg gjatë javës së kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat