Opozita akuzon Kurtin se i ndëshkoi komunat që nuk udhëhiqen nga VV

Aktuale

Opozita akuzon Kurtin se i ndëshkoi komunat që nuk udhëhiqen nga VV

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Favorizimi i komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar edhe këtë vit, sa i përket projekteve të reja kapitale nga niveli qendror. Në top pesë komunat me vlerën më të lartë të investimeve kapitale për vitin 2024, janë Gjilani, Shtimja, Kamenica e Podujeva që udhëhiqen nga VV. Nëse llogariten investimet për kokë banori, prin Shtimja me 102 euro, derisa e fundit është Suhareka me 1.77 euro për kokë banori. Nga Qeveria e Kosovës s’kanë pranuar të flasin se pse janë orientuar shumica e investimeve në këto komuna. Ndërkohë, nga AKK po e konsiderojnë këtë si ndëshkim.Një tabelë e hartuar nga Instituti GAP tregon shpërndarjen jo të barabartë të fondeve për investime kapitale nga niveli qendror nëpër komuna për vitin 2024.

Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit shihet se ato janë orientuar nëpër katër komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, theksohet në raportin e GAP.

Në krye të listës për investime kapitale renditet Gjilani me 6 milionë e 300 mijë euro, pasuar nga Shtimja me 2 milionë e 753 mijë e 333 euro dhe pastaj Prishtina me 2.3 milionë euro. Lista vazhdon me dy komuna tjera që udhëhiqen nga VV’ja, Kamenicën për të cilën janë paraparë investime të reja në vlerë 2.1 milionë euro dhe Podujevën në vlerë 1 milion e 855 mijë euro.

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se vërehet qartë se ka favorizim të komunave të Vetëvendosjes, derisa thotë se është lënë anash kryeqyteti.

Por, çka ai konsideron më shqetësuese është që as pas tri vitesh s’kanë arritur të përfundohen projektet e vjetra dhe se ende vazhdojnë të ndahen mjete për to.

“Shikoje rastin e Komunës së Prishtinës. Asnjë projekt i rëndësishëm për qytetarët e kryeqytetit, ku është e koncentrume pothuajse pjesa më e madhe e ekonomisë, ku krijohen të hyrat më të mëdha të ekonomisë, ku ka studentë, ku ka shërbime tjera vitale për shtetin, qeveria e diskriminon totalisht. Pastaj janë një varg komunash të mëdha që udhëhiqen nga parti të ndryshme, pothuajse secila komunë e madhe e vendit ku gravitojnë pjesë me e rëndësishme e shërbimeve për qytetarët edhe bizneseve ku ka më së shumti vende pune, ku krijohet aktivitet ekonomik e të gjitha, ka investime kapitale simbolike apo fare. Ajo që për mua ka qenë shumë shqetësuese, është që është viti i tretë që qeveria vazhdon të aprovojë buxhet për projekte të vjetra, që kanë qenë të qeverive të kaluara, d.m.th. as ato nuk kanë arritë me i përfundu e për ma shumë se ka nis asnjë projekt të ri”, thotë Rukiqi për Express.

E pavarësisht se niveli qendror ka favorizuar komunat e VV’së, Rukiqi shprehet skeptik se projektet do të realizohen.

“Ajo që është fatkeqe për qytetarët e vendit është ajo që edhe pse kjo qeveri i vendos ato shifra dhe duket që do t’i përkrah ato komuna, nuk arrin me i përkrah as ato komuna, për shkak se niveli i realizimit të investimeve kapitale është në nivel katastrofal”, ka deklaruar Rukiqi.

Ndërkohë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës po e konsiderojnë këtë si ndëshkim të disa komunave.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se shumica e kryetarëve të komunave janë të zhgënjyer me ndarjet buxhetore për vitin 2024, meqë vlerësojnë se përdorur kritere subjektive.  

Sipas Ibrahimit, janë 22 komuna të cilat vitin e ardhshëm do të kenë më pak buxhet për investime kapitale në raport me këtë vit.

“Kërkesat e komunave edhe këtë herë janë neglizhuar komplet. Gjatë diskutimeve nëpër komisionet parlamentare pas kalimit në lexim të parë të Projekt-buxhetit, as edhe një projekt i komunave s’ka gjetur përkrahje gjatë procedurave të leximit të dytë të Projekt-buxhetit, edhe pse kryetarët e komunave kanë dërguar me dhjetëra projekte, por s’kanë gjetur përkrahje. Ky nuk është viti i vetëm që ka mungesë të bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal. Edhe vitin e kaluar ka ndodhur e njëjta”, thotë Ibrahimi.

Këtë e ka shpjeguar edhe përmes shifrave.

“Komuna e Deçanit do të ketë minus 694 mijë e 991 euro për investime të reja kapitale në raport me 2023. Komuna e Ferizajt do të ketë minus 777 mijë e 468 euro më pak se këtë vit. Fushë Kosova do të ketë minus 564 mijë euro. Hani i Elezit do të ketë minus 442 mijë e 386 euro më pak sesa këtë vit. Vitia i ka minus 496 mijë e 866 euro. Vushtrria ka minus 332 mijë e 112 euro më pak.  Komuna e Graçanicës -652 mijë më pak. Mitrovica ka me i pas minus 102 mijë euro”, deklaron Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se zgjidhje e këtij problemi do të ishte themelimi i Grantit të Katërt, që shton se ka qenë edhe premtim i VV’së.

“Mirëpo, niveli qendror, përkundër kërkesës së pareshtur të kryetarëve të komunave, nëpër komunat që i kemi pasur me kryeministrin Kurti ku ka qenë prezent edhe ministri Murati, ata në vend që të përkrahin iniciativa të tilla që shkojnë në dobi të komunave, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo politike, ata kanë vendosur me tërheq nga strategjia legjislative Ligjin për Financa Lokale, ku është i akomoduar ky grant që po e kërkojmë me ngulm që disa vite”, shton ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat