Drafti i deklaratës nga samiti BE - BP: Thirrje për normalizim Kosovë-Serbi

Aktuale

Drafti i deklaratës nga samiti BE - BP: Thirrje për normalizim Kosovë-Serbi

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor do të kërkohet përsëri nga Kosova e Serbia angazhim konstruktiv për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.

Në deklaratën përfundimtare që do ta miratojnë shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të porositet se normalizimi ndërmjet Kosovës e Serbisë është “thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 13 dhjetor në Bruksel. Kosovën në këtë takim do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, derisa Serbia do të prezantohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq.

Hapësirë e madhe në deklaratën përfundimtare nga ky samit do t’i kushtohet dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Liderët evropian do t’i bëjnë thirrje palëve që, pa vonesa apo parakushte, të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit.

“Ne gjithashtu presim që palët të ndjekin përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin në përputhje me kërkesat e BE-së dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që mund të çojnë në tensione dhe dhunë të mëtejshme, dhe retorikë që nuk është e favorshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në draftin e deklaratës të cilën e miratojnë liderët por me të cilën pritet që të përshtaten edhe përfaqësuesit e shteteve të rajonit që do të marrin pjesë në samit.

Gjithashtu do të tërhiqet vërejtja se, në dritë të agresionit në Ukrainë, shtetet e rajonit duhet të qëndrojnë së bashku me BE-në si shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë.

“Një vizion i përbashkët i së ardhmes përfshin vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, do të porosisin liderët evropian, duke kërkuar nga të gjitha shtetet që t’i vendosin sanksione Rusisë si dhe të punojnë në parandalimin e anashkalimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat