Kosova në presion për fillimin e procedurave për Asociacion

Aktuale

Kosova në presion për fillimin e procedurave për Asociacion

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 08:28
Foto ilustrim

Kosovës po vazhdohet t’i bëhet presion nga faktori ndërkombëtar për fillimin e procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë brenda këtij viti.

Njohës të çështjeve politike në vend thonë për RTK-Radio se mund të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të vitit që vjen, ndërsa mendojnë se faktori ndërkombëtar dëshiron që çështja e asociacionit të përfundojë brenda dhjetorit të sivjetmë.

Bashkësia ndërkombëtare po vazhdon t’i bëjë thirrje Kosovës për themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa ende nuk dihet se kur do të përfundojë ky proces.

Pas presionit ndërkombëtar, nëse do të fillojë të zbatohet Asociacioni brenda këtij viti, profesori universitar, Dritëro Arifi, mendon se kjo mund të ndodhë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024. Ai tha për Radio Kosovën se draft-statuti pritet të bëhet publik në një periudhë të caktuar, më pas të dekretohet në qeveri dhe të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij, mund të marrë kohë së paku dy muaj. 

“Nga janari deri në qershor. Çështja është se si qeveria do të dakordohet për marrëveshjen në tërësi, jo specifikisht vetëm për Asociacionin. Pra, po shihet që ka një dakordim të qeverisë për Asociacionin, por prapë nuk varet gjithçka nga vullneti i qeverisë, sepse do të varet edhe nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse do të jetë në përputhshmëri ky Asociacion sipas ligjeve aktuale. Pra, ka shumë të panjohura deri në përfundimin e këtij obligimi të Kosovës, por mos të harrojmë se është obligim ndërkombëtar. Kjo nuk ka nevojë për nënshkrim, por vetëm për zbatim. Më shumë e shoh problemin te sekuencimi i marrëveshjes, a do të rrjedhë ashtu siç janë dakorduar me BE-në, apo do të ketë një dakordim të ri për sekuencim, që të dyja palët të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes në të njëjtën kohë. Por, nënshkrimi nuk është i nevojshëm", tha ai.

E analistja Arta Tahiri- Beqa, mendon se dëshira e faktorit ndërkombëtar është që brenda këtij viti të realizohet themelimi i Asociacionit, por duke ditur qëndrimin e të dyja palëve, mund të ketë vështirësi.

“Nëse është dhënë deri tani një sinjal që pala kosovare e mbështet formatin, pavarësisht që nuk janë nxjerrë informacionet, atëherë e rëndësishme është që Kosova e mbështet, mund të jetë ky format i Asociacionit në të mirë të Kosovës, duke mos cenuar ligjshmërinë, integritetin territorial dhe Kushtetutën e Kosovës. Nëse pala kosovare është ajo që e kundërshton, atëherë pastaj mund të themi që topi i hidhet Serbisë dhe është faktori ndërkombëtar që duhet të merret me Serbinë, e jo Kosova. Kosova në një mënyrë fillon të përmbushë një nga obligimet ndërkombëtare siç është edhe kjo e Asociacionit dhe mund të kërkojë favoret e saj për sa i përket realizimit të politikave euro-atlantike të saj", tha ajo.

Draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor të këtij viti, nga përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas, të dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm”, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij ende nuk janë bërë të ditura.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat