Rohde përmend detyrat që e presin Kosovën pas anëtarësimit në KiE

Aktuale

Rohde përmend detyrat që e presin Kosovën pas anëtarësimit në KiE

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 22:25
Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka treguar se si mund të përparojë Kosova ende më shumë, pas pranimit të aplikimit në Këshillin e Evropës.

Rohde ka deklaruar se pas kësaj çështje, pritshmëritë janë që Qeveria e Kosovës fillimisht t’i respektoje vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e pastaj të merret me rastin e pa zbatuar deri më tani, duke përmendur vendimin për “Manastirin e Deçanit”.

“Ne jemi ende në vitin 2023, por koha po fluturon…Gjermania ka qenë mbështetësja  më e madhe e pranimit të Kosovës. Pasi që Kosova i ka përmbushur kërkesat, të gjitha konventat e Këshillit të Evropës janë pjesë e legjislacionit dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne e duam Kosovën në këtë Këshill dhe me votën tonë menduam t’ia transmetonim edhe të tjerëve në ansamblenë parlamentare. Siç mund të keni parë nga raporti i javës së kaluar nga gjykatësit eminentë, njëri prej tyre ishte edhe ish-sekretar i Komisionit të Venedikut, i cili i thekson disa detyra për Kosovën. Dhe ajo çfarë pritet nga qeveria që një nga detyrat që duhet bërë, është që ju ti respektojë vendimet e juaja gjyqësore. Ekziston një vendim i famshëm gjyqësor që nuk është zbatuar tashmë nga 5 apo 6 qeveri të mëhershme, rasti i Manastirit të Deçanit, ku sipas gjykatës kjo tokë i përket Manastirit dhe duhet të regjistrohet si e tillë në regjistrin katastral të komunës e që nuk ka ndodhur deri tani. Kjo është qartazi shkelje e ligjit. Vendimet gjyqësore duhet implementuar”, ka potencuar Rohde.

Ani pse Rohde ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, ai ka thënë se një gjë e tillë mund të vështirësohet, në qoftë se pengesat e ritheksuara janë ende prezent.

“Është shumë e vështirë të jesh përkrahësi i Kosovës nëse këto pengesa vazhdojnë. Unë nuk mund të kuptoj se si mund të mos zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, kur është e qartë se kjo mund të jetë pengesë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sepse do të ketë një votim në Asamblenë Parlamentare dhe ju dëshironi  të shihni një lëvizje të shpejtë në këtë drejtim. Është përmendur gjithashtu edhe AKSHS-ja. Ky është një raport vjetor. Edhe Gjermania kritikohet në raportet e KE-së. Të gjithë duhet t’i bëjmë detyrat tona, dhe ky raport 30 faqësh e ndihmon konformitetin e ligjeve të Kosovës me standardet e KE-së. Përsëri kemi detyra për të bërë, dhe kështu kanë më shumë privilegje si anëtarë”, ka shtuar Rohde.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Pastaj, KiE e ka pranuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat