Rohde: Jam 100% i sigurt se draft-statuti s’bie në kontradiktë me Kushtetutën

Aktuale

Rohde: Jam 100% i sigurt se draft-statuti s’bie në kontradiktë me Kushtetutën

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 21:17
Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se pavarësisht progresit në dialog siç është Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit, nuk ka ndodhur zbatimi i tyre.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Rohde tha se Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar dhe se duhet ta zbatojë, teksa sipas tij, drafti i propozuar është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“I gjithë procesi i cili është shtyrë përpara sidomos nga Gjermania, veçanërisht në propozimin për njohjen de facto dhe de jure ka të bëjë me atë se çka mund të arrijmë. Unë jam ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, jo në Serbi. Andaj unë përqendrohem në atë që Kosova duhet të bëjë. Kosova ka një përgjegjësi në këtë proces, e cila është implementimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili është një obligim afatgjatë i Kosovës. Kështu që ne presim nga Kosova të jetë e sigurt në vete, ju e keni mbështetjen tonë dhe unë jam 100 % i sigurt se ne nuk kemi propozuar asgjë që bie në kontradiktë me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Rohde.

Rohde ka komentuar edhe raportin e Këshillit të Evropës, ku tha se është bërë e qartë se duhet themeluar Asociacioni për të bërë avancim drejt anëtarësimit në këtë institucion.

“Javën e kaluar, raporti i publikuar i ekspertëve eminent të Këshillit të Evropës, nëse shkoni në faqen 13,  mund të gjeni një fjali në të ‘ne presim që për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të zbatohet AKSHS-ja’. Pra, detyra është e qartë. Bëjeni”, tha Rohde.

Emisarët evropianë dhe ata amerikanë në fund të muajit tetor kishin vizituar Kosovën, të cilët kishin sjellë edhe një draftstatut për Asociacionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat