Ish-ministri i Brendshëm: Duhet të shtohen patrullimet dhe policët e lagjeve

Aktuale

Ish-ministri i Brendshëm: Duhet të shtohen patrullimet dhe policët e lagjeve

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 18:38
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, teksa ka folur për situatën e sigurisë së krijuar së fundi në vend, ka theksuar nevojën se Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me agjencitë e saj, dhe në veçanti me Policinë, ka të gjitha pajisjet për të reaguar në mbrojtje të qytetarëve dhe në parandalim të krimit.

Ish-ministri Sefaj ka theksuar se është e nevojshme të shtohet patrullimi dhe të rritet numri i policëve të lagjeve pas dy vrasjeve në mbrëmjen e së mërkurës.

“Patjetër Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj në veçanti me Policinë i ka të gjitha instrumentet, pajisjet për të reaguar në raste të tilla. Ndoshta duhet të shtohet patrullimi dhe të kthehet mundësia që të kemi numër më të madh të policëve të lagjes”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se kjo do të ishte një masë efektive në luftën kundër kriminalitetit.

Megjithatë, ai gjithashtu ka theksuar se ky nuk është vetëm një problem i Policisë, por një sfidë shoqërore më e gjerë.

“Janë të gjitha instrumentet dhe mundësitë praktikë që të veprohet në rast të kryerjes së veprave të tilla tragjike. Mund të punohet edhe në aspektin preventiv, por kjo nuk i takon vetëm Policisë. Ky është një problem i madh shoqëror që kërkon përfshirjen e gjithë shoqërisë sonë,” ka deklaruar ish-ministri Sefaj.

Ai gjithashtu ka theksuar se në kohën që po jetojmë, ka një zhvillim të një bote paralele virtuale, ku disa sjellje kriminale mund të glorfikohen.

Sipas tij, duhet të ekzistojë nevoja për një vetëdijesim të gjerë, filluar nga familja dhe shkollat, për të kundërshtuar fenomenet negative si krimi, vjedhjet, rrahjet dhe dhuna.

“Vetëdijesimi duhet të fillojë se paku nga familja pastaj në institucionet shkollore në të gjitha organizatat shoqërore që kemi, në media po ashtu duhet të intervenohet duhet të sensibilizohet që fenomenet e tilla krimet, vjedhjet, rrahjet, dhuna janë fenomene negative nuk janë pozitiv. Te ne është duke ndodhur që këto e kanë marrë anën e pozitivitetit”, është shprehur ai.

Në lidhje me infrastrukturën ligjore, ish-ministri Sefaj ka deklaruar se është e domosdoshme ashpërimi i saj dhe përshtatja me standardet e Bashkimit Evropian.

“Shteti duhet të jetë i fuqishëm dhe i fortë në këto raste. Kriminelët dhe krimet duhet të dënohen,” ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat