Këto janë mesazhet e O’Brien

Aktuale

Këto janë mesazhet e O’Brien

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 21:06
James O’Brien

Siguria e rajonit vazhdon të jetë në fokusin e ndërkombëtarëve.

Njohësit e çështjeve politike dhe profesorët universitarë thanë që mesazhet që po vinë nga Shtëpia e Bardhe dhe NATO-ja janë kryekëput për Serbinë. Sipas tyre, toleranca e Perëndimit ndaj Beogradit ka marrë fund.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, të hënën ua ka bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

Njohësi i çështjeve politike Melazim Koci thotë se kjo deklaratë e O’Brien është mesazh i prerë për Serbinë.

“Deklarata e zoti James O’Brien tregon se durimi dhe toleranca e perëndimit dhe sidomos e Shteteve të Bashkuara në raport me Serbinë ka përfunduar. Edhe bëhet në një moment kur ekspert të shquar amerikanë thonë se nuk përjashtojnë mundësinë që Serbia të përsërit një inskenim të tipit “PANDA”, pra të vrasjes së serbëve në veri, për të akuzuar Britaninë e Madhe po shkakton luftë. Nëse diç të tillë Serbia provon do të ballafaqohet jo vetëm me intervenimin në veri, por me një intervenim shumë të fuqishëm që unë supozoj do të përfundoi në territorin e Serbisë”, tha njohësi i qështjeve politike, Melazim Koci.

Ndërsa, profesori Universitar Abit Hoxha thotë se ky qëndrim amerikan nuk është i ri për palët.

“Nëse e sheh në një afat më të gjatë kohor, se sa sulmin e fundit në Banjksë, kërcënimi ose paralajmërimi vlen sa për Serbinë aq edhe për Kosovën … Por, kjo nuk është deklaratë e re, ky pozicion amerikan ka ndodh ka së paku dy vitet e fundit që përsëritet gjithmonë”, tha profesori universitar, Abit Hoxha.

Gjatë ditës edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, deklaroi se NATO do të bëjë gjithçka që garantoi stabilitetin në rajon.

“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në llogarinë zyrtare në platformën “X”, Misioni i SHBA-së në NATO, deklaroi se aleanca veriatlantike është duke ndërmarrë hapa kujdesshëm për t’u siguruar se KFOR-I ka forcat e nevojshme për të përmbushur mandatin dhe se ata vazhdojnë mbështetjen për zhvillimin e një Kosove gjithëpërfshirëse, demokratike dhe multietnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat