​Prekazi bashkon shumë qytetarë e personalitete shtetërore

Aktuale

​Prekazi bashkon shumë qytetarë e personalitete shtetërore

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 12:24
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qytetarë të shumtë, përfshirë edhe personalitet shtetërore kanë vizituar sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke bërë nderime e duke u përkulur para varrezave të familjes Jashari.

28 Nëntori, që është një nga datat më të rëndësishme për popullin shqiptar, përveç që shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë shënohet edhe ditëlindja e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari si dhe të daljes së parë publike të UÇK-së.

Për këtë, teksa sot po mbretëron atmosferë festive dhe po përkujtohen ata që u flijuan, vizitorë të shumtë janë parë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Gjatë paradites, homazhe atje kanë bërë drejtues të institucioneve të Kosovës, liderë të partive politike.

Aty u panë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryekuvendari, Glauk Konjufca.

Osmani pasi bëri homazhe në Prekaz, tha se dita e sotme është moment reflektimi për të gjithë atë që heronjtë tanë kanë bërë për shqiptarët.

Në anën tjetër, Konjufca tha se 28 nëntori gjithmonë fillon në Prekaz, aty ku ka ndodhur sipas tij sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri.

Të pranishëm ishin edhe liderë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, i shoqëruar nga kryetari i Skënderaj, Fadil Nura, tha se nëntori është një muaj i rëndësishëm sepse në të ngërthehen shumë festa të rëndësishme për shqiptarët.

Aty nuk mungoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se 28 Nëntori është ngjarje me rëndësi që bashkon gjithë shqiptarët.

Gjatë orëve në vijim, kjo ngjarje pritet të shënohet edhe me shumë aktivitete të tjera në nderim të sakrificës dhe kujtimit të atyre që u flijuan për këtë ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat