Rrëfimi i Blakajt për babain që ia rrëmbyen djalin: Pagoi për t’iu kthyer i gjallë, më 2004 i erdhën eshtrat

Aktuale

Rrëfimi i Blakajt për babain që ia rrëmbyen djalin: Pagoi për t’iu kthyer i gjallë, më 2004 i erdhën eshtrat

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 08:57
Bekim Blakaj

Ia kishin rrëmbyer djalin, në luftën e fundit në Kosovë.

Një burrë nga fshati Mejë i Gjakovës për një kohë u dha edhe të holla personave të tjerë kinse për t’ia gjetur të vetmin djalë që e kishte.

Besonte se i biri i tij është gjallë dhe po mbahej diku në një kamp të fshehtë në Mal të Zi.

Por, sikur kjo mos të mjaftonte.

Ai shiti edhe tokën për të siguruar të holla të tjera.

Ky është vetëm njëri prej rrëfimeve që edhe pas shumë viteve pas luftës e kujton me shumë emocione drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

Ai rrëfen në detaje këtë histori, e për të cilën thotë se është rrëfim shumë i rëndë për të.

“Më kujtohet një rast i një personi i cili ka qenë i vjetër në moshë i një fshati të Gjakovës të cilit forcat serbe ia kishin rrëmbyer djalin e vetëm në Mejë me datën 27 prill të vitit 1999 dhe ky person, pra babai i të rrëmbyerit besonte fuqishëm se i biri i tij është i gjallë dhe po mbahet dikund në një kamp të fshehtë dikund në Mal të Zi. Unë kam biseduar shpesh me atë person edhe kam qenë në situatë të pavolitshme se unë duhej t’i thoja atij se gjasat janë të mëdha që i biri i tij nuk është gjallë”, është shprehu.

Për një kohë, për babain e djalit të rrëmbyer të hollat nuk ishin asgjë.

Shpresa e mbante gjallë.

Por, në vitin 2004 gjithçka mori fund.

Plakut në moshë të shtyer, iu kthyen mbetjet mortore të birit.

“Ai ishte mashtruar për më keq prej disa mashtruesve, i kishin marrë shumë të holla, shuma të mëdha të hollave, bile kishte shitur edhe tokë kinse për ta nxjerrë të birin e tij nga një burg sekret në Mal të Zi. Unë e kam këshilluar që të mos jap të holla përderisa nuk e ka një provë të fortë që i biri i tij është i gjallë. Mirëpo, ai vazhdonte të jepte të holla. Dikund në vitin 2004 megjithatë mbetjet mortore të djalit të tij ishin gjetur, ishin identifikuar dhe përfundimisht iu ka kthy trupi i djalit të cilin e ka varrosë dhe aty është ndërprerë dhënia e të hollave”, tregon Blakaj.

Pavarësisht kësaj, Blakaj thotë se familjarët që kanë persona të zhdukur edhe përkundër provave të ndryshme se ata mund të jenë vrarë, vazhdojnë të besojnë se të afërmit i kanë gjallë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili merret me dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë luftës, ka arritur që deri më tani të dokumentojë mbi 13,500 qytetarë të vrarë e të zhdukur nga lufta në Kosovë në vitet 1998-1999.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i këtij fondi, Bekim Blakaj.

“Ne i kemi dokumentuar deri më tani 13, 535 njerëz të cilët janë vrarë apo janë zhduk gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Shumica prej tyre janë shqiptarë, pra mbi 10,800 janë shqiptarë, por ka edhe të komuniteteve tjera, janë dikund rreth 2200 serbë, pastaj ka diçka qindra romë, boshnjak e të tjerë”, është shprehur ai.

E, nga ky numër tregon se mbi 80% kanë qenë persona civil.

“Kur bëhet fjalë tek shqiptarët shumica prej tyre mbi 80% kanë qenë persona civil, pra të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftë dhe si të tillë ata nuk është dashtë në asnjë mënyrë civilët me i targetu, pra me u vra apo me u zhdukë”, ka thënë Blakaj.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj për viktimat e luftës bëri edhe një gjë tjetër.

Atë që la lufta Blakaj e vendosi në një fletë të bardhë që e quajti ‘Libër Kujtimi i Kosovës”, në të cilin do të mbesë e pashlyeshme historia e viktimave.

Ai shpjegon pse e mori këtë iniciativë.

“Ideja e kësaj ka qenë që mos të lejojmë që ata të harrohen apo të shndërrohen në numra sepse pastaj nëse shndërrohen në numra atëherë shumë lehtë mund të manipulohet me numrin e viktimave. Kemi dashur që t’i dokumentojmë ato viktima dhe secilit numër t’i jepet një emër dhe një fotografi. Pra, në këtë mënyrë kemi dashur t’ia kthejmë dinjitetin viktimave që të mbahen mend si njerëz e jo të shndërrohen në të dhëna statistikore. Krejt ideja e këtij projekti të përbashkët me Fondin për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe në Kosovë është që të publikohet “Libër Kujtimi i Kosovës”, me të dhëna të sakta edhe mbi rrethanat e vrasjes apo zhdukjes së këtyre personave”, ka treguar ai.

Por, një ekspozitë e cila është hapur në 20 vjetorin e luftës në Kosovë, pikërisht në vitin 2019, e cila përpos emrave të 1133 fëmijëve përmban edhe elemente të tjera vazhdon të jetë e vendosur në bibliotekën e qytetit “ Hivzi Sylejmani”

“Në vitin 2019, pra në 20 vjetorin e luftës në Kosovë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ta krijojë një ekspozitë për fëmijët të cilët janë vrarë dhe janë zhdukë gjatë luftës së fundit. Kjo, ekspozitë është e vendosur në bibliotekën e qytetit ‘Hivzi Sylejmani’, dhe një prej elementeve të ekspozitës është një muri i madh i cili përmban emrat e 1133 fëmijëve të cilët janë vrarë apo janë zhdukë. Normalisht, kjo ka qenë e rëndësishme për neve, sepse vizitorët e asaj ekspozite t’i njohin me emër dhe me mbiemër fëmijët të cilët nuk e kanë mbijetu luftën. Megjithatë, pastaj ka edhe elemente të tjera ajo ekspozitë, duke përfshirë edhe gjësende të tjera të fëmijëve të cilët janë vrarë e kështu me radhë”, ka treguar me emocione Blakaj.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj nuk është aspak i kënaqur me atë që ka sjellë drejtësia për kryesit e krimeve të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai,  thotë se numri i personave që janë dënuar për këtë është mjaftë i vogël.

“Fare nuk mund të jemi të kënaqur, as familjet e viktimave, as ne si organizatë që i monitorojmë këto procese gjyqësore për krime lufte. Një prej projekteve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë është edhe monitorimi i gjykimeve për krime lufte. Deri më tani nga të gjitha gjykatat, deri më tani janë dënuar dikund rreth 75 persona për krime lufte”, është shprehur Blakaj.

I, pyetur se a është e mjaftueshme për të që të dënohen vetëm kaq persona, Blakaj ka dhënë këtë përgjigje.

“Kjo, fare nuk është e mjaftueshme sepse siç e përmenda vetëm civil të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës janë mbi 10 mijë, pa i përfshirë këtu kategoritë e tjera të viktimave, siç janë viktimat e dhunës seksuale, ata që kanë qenë subjekt i keqtrajtimeve, trajtimit mizor, të plagosurit e kështu me radhë. Pra, nëse i qesim në rrafsh shohim që shumica dërmuese e viktimave deri më tani nuk kanë pa drejtësi edhe gjasat janë shumë të vogla nëse vazhdohet me këtë tempo që do të shohim drejtësi në të ardhmen. Pra, jo vetëm familjarët e viktimave por edhe ne si shoqëri në përgjithësi jemi të zhgënjyer me drejtësinë që është ofruar deri më tani për viktimat”, ka shtuar ai.

Blakaj thotë se kanë kaluar më shumë se 24 vite kur është vendosur komunikimi i tyre me familjarët e personave të vrarë e të zhdukur, por edhe sot e asaj dite përballja me ta është emocionuese, pasi që temë diskutimi janë gjithmonë ata të vrarët dhe të zhdukurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat