Peci me homologen Denaj: Të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit

Aktuale

Peci me homologen Denaj: Të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 13:37
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar mes dy palëve u ngritën çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë së të dyja shteteve.

Ministri Peci gjatë këtij takimi tha se “mbetemi të përkushtuar drejt qëllimit të përbashkët për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e përpunuesit tanë, për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit tanë, këndej e andej kufiri”.

“Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare” shtoi mes tjerash Ministri Peci, i cili gjithashtu u shpreh se prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit tanë eksportojnë, na përfaqësojnë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia.

Integrimi në politikat dhe mekanizmat e fondeve të para-anëtarsimit në BE, IPA dhe akreditimi për IPARD, mbeten një synim i Ministrit Peci, andaj përmes realizimit të projekteve të përbashkëta e shkëmbimit të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë, do jetë një shtysë pozitive në maratonën e sukseseve të deritanishme.

Tutje, vizita e Ministrit të BPZhR-së, Faton Peci bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë qytetin e Beratit ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës dhe kësisoj të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat