Xani: Mos ta bëjmë Asociacionin për Serbinë, por për serbët lokalë

Aktuale

Xani: Mos ta bëjmë Asociacionin për Serbinë, por për serbët lokalë

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 23:56
Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani thotë se draft statuti i Asociacionit i cili po qarkullon në media është shqetësues, por sipas tij, derisa nuk ka diçka zyrtare nuk mund të komentohet.

Por ajo që duhet të kihet parasysh, sipas Xanit, duhet që Asociacioni të bëhet për serbët lokal, e jo për Serbinë.

“Ne duhet me pas kujdes që mos të bëjmë Asociacion për Serbinë, por për serbët lokal dhe qeverisjen lokale. Nëse aty kemi pra Asociacionin për serbët lokal dhe për qeverisjen lokale nuk ka ndonjë rrezik tjetër. Por duhet pasur parasysh që edhe pa Asociacionin hiq, veriu i Kosovës çdoherë është një lloj sigurese e tensionit dhe rrezikut”, deklaroi ai.

Xani shtoi se ajo çfarë është me rëndësi, është që Kosova nuk duhet që përmes Asociacionit të japë kompetenca për veprime të njëanshme.

“Nëse ne arrijmë mos me dhënë hapësirë dhe kompetencë për veprime të njëanshme, ky Asociacion nuk mund të ketë një lloj zhvillimi, që të kalojë deri nesër në një Republikë ose të shpallë edhe bashkimin me Serbinë”, u shpreh ai.

Më 21 tetor, Kosovës dhe Serbisë iu prezantua një draft statut për Asociacionin nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, por i njëjti ende nuk është bërë publik për opinionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat