​S’ka konsensus në Kuvend për marrëveshjen me Danimarkën për burgun e Gjilanit

Aktuale

​S’ka konsensus në Kuvend për marrëveshjen me Danimarkën për burgun e Gjilanit

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 15:04
Kuvendi

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca nuk e ka hedhur në votim Traktatin ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, pas polemikave të shumta mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetëve, kryesisht nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Pasi deputetët e LDK-së ngritën një mori shqetësime për këtë ujdi ndërkombëtare, ministrja Haxhiu, tha se të njëjtën e ka gjetur mbi 90 për qind të gatshme nga ish- Qeveria Hoti, madje tha se ka gjetur disa mos përputhje me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, andaj e ka rikthyer në pikën zero.

“Ministrat kur futen në marrëveshje të tilla të njoftojnë kryeministrin. Selimi mund të na njoftojë nëse ju ka njoftuar ose jo ju po thoni që jo dhe le të mbetet në mes juve dyve. Unë e kam gjetur marrëveshjen në mbi 90 për qind të përfunduar. Mirëpo çfarë kam kuptuar pastaj se kemi marrë informacione nga MPJD se asnjë procedurë nuk ishin respektuar. Unë kam thënë se nuk mund të procedoj këtë marrëveshje pa respektuar Ligjin për marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se e tërheqin mbështetjen ndaj kësaj marrëveshje.

“Është e paarsyeshme që ne të vazhdojmë t’i japim përkrahje kësaj marrëveshje. Mbi faktin edhe që ministrja e Drejtësisë insuon që në gjenezë marrëveshja është e paligjshme, pasi është bërë një marrëveshje e cila nuk e ka pasur miratimin e qeverisë. Nëse kjo qëndron çka tha ministrja kjo është e papërkrahshme dhe na detyron neve si grup të tërheqim përkrahjen për këtë marrëveshje”, theksoi Gashi.

Kundër kësaj ujdie u shfaq edhe deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca. Duke parë këtë pozicion, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo marrëveshje do të tejkalohet për t’i dhënë mundësi sqarimeve të mëtutjeshme, ndërkaq vendosi që Kuvendi të shkojë në pauzë deri në orën 15:30. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat