A u dogjën nga zjarri mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit ? Flet drejtori i IML-së

Aktuale

A u dogjën nga zjarri mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit ? Flet drejtori i IML-së

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 11:45
Pamje nga zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë.

Dy zyra në Institutin e Mjekësisë Ligjore(IML) u kapluan nga zjarri të martën.

E, njëra prej zyrave të djegura është raportuar se është ajo e ish-drejtorit të IML-së, Arsim Gërxhaliu.

Ndërsa, mbrëmë në media është shkruar se nga ky zjarr janë djegur edhe mustaqet e heroit legjendar Adem Jashari dhe një pjesë e gishtit të Isa Boletinit.

Lidhur me këtë  ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Ditor Haliti.

Ai thotë se sipas asaj që Gërxhaliu i ka thënë është e vërtetë që mustaqet e Adem Jasharit dhe një pjesë e gishtit të OIsa Boletinit kanë qenë në zyrën e tij.

Por, se a kanë qenë aty në momentin kur edhe është djegur zyra këtë thotë se nuk e din.

“Mustaqet e Adem Jasharit dhe një pjesë e gishtit të Isa Boletinit kanë qenë në zyre të tij. Sipas tij, gjithmonë sepse ato nuk kanë qenë pronë të IML-së. Ai thotë se i ka pas mustaqet edhe një pjesë të kockës së gishtit të Isa Boletinit që i ka pas si suvenire, pra i ka pas me leje të familjes, pra i ka marrë me i ruajtur si suvenir për vete”, ka thënë Haliti.

Haliti ka sugjeruar që për konfirmim të flasim me Gërxhaliun.

Por, ky i fundit pavarësisht thirrjeve telefonike e po ashtu edhe mesazheve të dërguara, deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

“Por, prapë po ju them a kanë qenë aty apo nuk kanë qenë nuk e di sepse nuk kanë qenë pronë e IML-së, kanë qenë pronë private e tij. Por, më mirë pyeteni atë për konfirmim”, ka shtuar Haliti.

Kurse, i pyetur se deri ku kanë arritur hetimet për atë që shkaktari zjarrin në IML, Haliti ka thënë se informatat preliminare janë se zjarri është shkaktuar nga një defekt në instalacion elektrik.

“Informatat preliminare janë që ka qenë një defekt në instalacion elektrik dhe prej aty ka filluar shkëndija e parë edhe u përhap zjarri. Pra, këto janë informata preliminare por do të konfirmohen prapë prej ekspertëve e të cilat kanë em shku në prokurori. Do të thotë këto janë vetëm informata të para”, është shprehur ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas zjarrit ka thënë  se dyshimet e para janë tek sistemi elektrik.

“Sipas informacioneve të para nga ata dhe ato i kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik, mirëpo ka diskutime për brenda vet ekspertëve dhe stafit të mjekësisë ligjore që mund të jetë shkaku prej kohës që është ndërtuar ai objekt”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Kjo nuk është hera e parë që IML është kapluar nga zjarri, e njëjta kishte ndodhur edhe në mars të këtij viti ndonëse me dëme me të vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat