Eksperti ndërkombëtar: Deklaratat e Kurtit për rigrupim të paramilitarëve serbë janë për t’u shqetësuar

Aktuale

Eksperti ndërkombëtar: Deklaratat e Kurtit për rigrupim të paramilitarëve serbë janë për t’u shqetësuar

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 08:06
Adrian Shtuni

Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi, ndërsa nga institucionet e sigurisë në Kosovë ky veprim merret si kërcënim.

Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, i kanë përforcuar edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Millan Radoiçiqit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.

Edhe eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Adrian Shtuni thotë se deklaratat e Kurtit për rigrupim të paramilitarëve serbë janë për t’u shqetësuar.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin ai thotë pavarësisht se gjykata serbe e ka shpallur fajtor Radoiçiqin për cenim të sigurisë publike dhe kontrabandim të armëve ai shëtitet i lirë në Serbi madje edhe organizon tubime politike.

“Qartazi Radoiçiq trajtohet si luftëtar lirie dhe hero dhe jo si kriminel, pavarësisht se Prokuroria serbe e ka akuzuar për krime kundër sigurisë publike dhe trafikim armësh”, shtoi ai.

Ai ka thënë se për sa kohë që Radoiçiq ai është i lirë, rreziku për destabilizm të Kosovës ekziston.

“E kam parë deklaratën e Kurtit dhe rreziku për destabilizim të situatës në veri të Kosovës është real dhe shqetësues, sidomos për sa kohë që Radoiçiq është i lirë dhe sillet vërdallë dhe qartazi konsiderohet hero lirie dhe luftëtar e jo kriminel”.

Ai thotë se është e qartë se Beogradi nuk ka për qëllim që të vendos para drejtësisë kriminelët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat