Kuçi: Kosova mbetet vatra e parë e krizës

Aktuale

Kuçi: Kosova mbetet vatra e parë e krizës

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 19:53
Gurakuq Kuqi

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuqi, duke folu rreth kërcënimit rus në Ballkan, deklaroi se vatra e parë e krizës mbetet Kosova.

Sipas tij, nuk përjashtohen edhe vendet fqinje të Kosovës, siç është Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, sepse vazhdimisht ka pasur tendenca e protesta nacionaliste që janë infiltruar grupe të ndryshme ekstremiste nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, po ashtu edhe në Malin e Zi.

“Tani për momentin kemi një qeveri të re në Mal të Zi e cila e mban qëndrimin pro perëndimor, edhe pse ka pasur qëndrime të tjera falë shqiptarëve që janë bërë pjese e qeverisë, por nuk do të thotë që në momente të caktuara nuk do të ndryshojë qasja, dhe të gjitha këto janë pjesë e tendencave ruse të shfaqjes së ballafaqimeve të reja që mund të ndodhin”.

“Ndërsa vatër jashtëzakonisht e nxehtë që mund të shfaqet në çdo moment, ndoshta edhe para Kosovës, është edhe çështja e Bosnje e Hercegovinës. Aty Dodiku është kopja e dytë e Vuçiqit, ku ëndrrat që i sheh Vuçiqi ai është i gatshëm në çdo moment që t’i realizojë”, deklaroi Kuqi për emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Tutje ai shtoi se Serbia ka ende grupet e saj brenda Kosovës dhe armatime në zona të caktuara.

“Sërish do të synojnë që të bëjnë një lloj lufte e destabilizimi në Kosovë, sepse synimi i vërtetë i Serbisë nuk është Asociacioni, por dërgimi i Kosovës në një konferencë ndërkombëtare, siç është thënë tani publikisht edhe së fundmi, dhe atje Serbia të përfitojë sa është e mundur deri në pikën sa Kosova të mos ekzistojë si shtet”, u shpreh Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat