​Zogaj: Jemi përballur me një goditje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi gjyqësorin

Aktuale

​Zogaj: Jemi përballur me një goditje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi gjyqësorin

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 12:08
Kështu u shpreh ai në organizimin e KGjK-së për “Ditët e Gjyqësorit”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj deklaroi se në dy vitet e fundit janë përballur me goditje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi gjyqësorin. Sipas tij, vendimi për uljen e pagave ka pasoja të rënda për gjyqësorin e Kosovës. Kështu u shpreh ai në organizimin e KGjK-së për “Ditët e Gjyqësorit”, ku edhe bëri thirrje që të mos komentohen vendimet e gjyqtarëve.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se pavarësia e sistemit gjyqësor në Raportin e Progresit, është kryefjalë. Sipas tij, sistemi gjyqësor është model i përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe i procedurave transparente.

Ai theksoi se gjyqësori në mënyrë të vazhdueshme po përballet me mungesë të resurseve.

Zogaj: Jemi përballur me një goditje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi gjyqësorin

“Ne gjatë vitit 2022 dhe në mënyrë të veçantë gjatë vitit 2023 u përballem me një goditje të jashtëzakonshme të qeverisë mbi gjyqësorin, dhe atë në dy dimensione. Fillimisht me zvogëlimin e pagave përmes vendimit të qeverisë dhe pastaj me zvogëlimin e pagave përmes ligjit, të cilat paraprakisht ishin zvogëluar me vendimin e qeverisë. Në këtë rast, vendimi për uljen e pagave është goditje serioze dhe janë pasoja të rënda për gjyqësorin e Kosovës. Sepse përveç se ka cenuar Kushtetutën e vendit, ligjet në fuqi, janë cenuar edhe standardet ndërkombëtare të shprehura në opinionin e këshillit konsultativ të gjyqtarëve evropianë, ku në opinionin 1 thuhet ‘duhet bërë dispozita të veçanta që garantojnë se rrogat e gjykatësve nuk mund të reduktohen dhe të garantohet të paktën de-facto rritja e pagave të gjykatësve, të bëhet në proporcion me rritjen e kostos jetësore’”, deklaroi ai.

Zogaj shtoi se buxheti i gjykatave nuk duhet të jetë pjesë e lëvizjeve politike. Ai bëri thirrje që të mos komentohen vendimet e gjykatave dhe gjyqtarëve të Kosovës.

Zogaj: Kërkoj nga të gjithë mos komentim të vendimeve të gjyqtarëve

“Sjellja e dy pushteteve tjera në raport me gjyqësorin, kur merren për bazë parimet, nënkuptojnë që kanë cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe në mënyrë të veçantë në këtë rast theksoj dhe dua të shfrytëzoj këtë konferencë për të kërkuar nga të gjithë përmbajtje mbi vendimet e gjykatave. Mos komentim i vendimit të gjykatave, mos komentim i emrave të gjyqtarëve të cilët vendosin në çështje të caktuara sepse thjesht gjyqtarët e Republikës së Kosovës kryejnë funksionin e tyre si gjyqtar dhe gjithë të tjerët duhet të respektojnë kushtetutën dhe vendimet e gjykatave”, shtoi ai.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës përmendi edhe dorëheqjen e gjyqtarëve serbë, për çka tha se arritën të mbajnë funksionale gjykatat në veri. Zogaj u shpreh se sfidat e këtij sistemi janë efikasiteti, cilësia e vendimmarrjes dhe besimi i publikut.

E kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se ky institucion gjatë këtij viti ka nxjerrë pesë vendime juridike, tre udhëzues dhe një qëndrim parimor.

Rexhepi: Kemi lëndë në pritje jo më gjatë se tre muaj

“Me të gjitha sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë ndër vite edhe në vitin që po lëm pas mund të themi se përmes angazhimit dhe përkushtimit kemi bërë progres të dukshëm në forcimin e pavarësisë të sistemit gjyqësor. Me të gjitha vështirësitë dhe sfidat që kanë qenë të konsiderueshme, ashtu siç vijojmë më tutje, pavarësisht kësaj mund të themi se Gjykata Supreme gjatë këtij viti ka kryer detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore si autoriteti më i lartë gjyqësor në rolin e saj unifikues. Duke zgjedhur në afate të arsyeshme kohore çështjet e parashtruara, që nënkupton se kemi lëndë në pritje jo më gjatë se tre muaj”, u shpreh ai.

Edhe zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial, Veton Shabani tha se gjatë këtij viti janë përballur me sfida të shumta.

Shabani: Iniciativat ligjore kanë cenuar pavarësinë e sistemeve tona

“Edhe përkundër punës dhe përkushtimit, sfidat nuk kanë munguar asnjëherë. Duke përfshirë iniciativat ligjore që cenojnë pavarësinë e sistemeve tona e për të cilat kemi pasur një angazhim të dy sistemet, edhe ai Prokurorial edhe Gjyqësor të palëkundur karshi atyre sfidave. Për të përmbushur misionin tonë kushtetues dhe ligjor, angazhimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe sukseset e arritura duhet të na shtyjnë që të punojmë edhe më tej, me qëllim të ngritjes së performancës duke zhvilluar hetime më cilësore, duke ngritur aktakuza më kualitative dhe vendime gjyqësore të drejta dhe meritore”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat