Përfundon seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës së tij në Pejë

Aktuale

Përfundon seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës së tij në Pejë

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 10:21
Pamje nga shtëpia e viktimës, 14 prill 2023.

Në Gjykatën Themelore të Pejës, seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Urim Hyseni, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij, ka përfunduar me një heshtje të plotë nga avokati i tij dhe anëtarët e familjes.

Asnjëri prej tyre nuk ka dashur të japë deklaratë për media.

Seanca ishte zhvilluar e mbyllur për publikun dhe mediat pas kërkesës së mbrojtësit të viktimave e që është pajtuar edhe prokuroria edhe avokati i të akuzuarit.

Avokati i tij po ashtu, ka kërkuar që seanca të mbahet e mbyllur për publikun, duke theksuar se do të diskutohet një ekspertizë psikiatrike mbi gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave janë pajtuar me kërkesën për mbylljen e seancës për shkak të natyrës së rastit që ka të bëjë me dhunën në familje dhe vrasjen.

Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova, ka pyetur edhe të akuzuarin Urim Hyseni, i cili nuk ka folur por vetëm ka pohuar me kokë, ndërkohë që më pas seanca është mbyllur për publikun e mediat.

Urim Hyseni akuzohet se më 14 prill të këtij viti ka vrarë nënën e tij duke i shkaktuar më shumë se 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

Po ashtu, pasi ka vrarë nënën e tij, Urim Hyseni dyshohet se ka sulmuar me thikë babain dhe tezen e tij.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 9 tetor 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij.

Sipas aktakuzës i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, viktimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale.

Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kryen vrasjen e viktimës.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë.

Më 11 maj i është  vazhduar  edhe për dy muaj paraburgimi të dyshuarit për vrasjen e nënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat