U pezullua nga pozita e drejtorit të prokurimit pas sanksionimit nga ShBA, Nexhat Krasniqi emërohet drejtor në tjetër departament

Aktuale

U pezullua nga pozita e drejtorit të prokurimit pas sanksionimit nga ShBA, Nexhat Krasniqi emërohet drejtor në tjetër departament

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 14:21
Nexhat Krasniqi

Nexhat Krasniqi, i cili pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ishte pezulluar nga pozita e udhëheqësit të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është caktuar përkohësisht drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në këtë ministri.

Vendimi në fjalë është marrë më 15 nëntor nga zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MMPHI-së, Izedin Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“z.Nexhat Krasniqi, i pezulluar me Vendimin nr.834 të datës 03.11.2023, nga pozita Drejtor i Divizionit të Prokurimit të cilën e mban sipas Aktemërimit, caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim.

Sekretari Bytyqi tha se vendimi është marrë nga ai dhe se kjo Krasniqit i garantohet me ligj.

“Po, unë e kam marrë vendimin. Për prokurim u kanë, ai tash ka të drejta ligjore që ia garanton ligji…”, tha Bytyqi.

I pyetur se a përbën sipas tyre problem që i njëjti është i akuzuar për korrupsion në prokurim dhe të ushtrojë këtë detyrë, Bytyqi tha se kjo është punë ligjore.

“Nuk është aty sipas meje, është punë ligjore a po merr vesh, nuk është këtu sipas meje se nuk jam unë këtu me dhanë mendime personale, është çështje ligjore”, u përgjigj Bytyqi.

Ndryshe, pas pezullimit të Krasniqit nga pozita e udhëheqësit të divizionit të prokurimit, si ushtrues detyre në këtë pozitë është emëruar Shefqet Emërllahu.

Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat