S’ka marrëveshje mes Kurtit dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë – Këto janë detajet

Aktuale

S’ka marrëveshje mes Kurtit dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë – Këto janë detajet

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 16:10 Përditësuar në ora: 21:40 më 15.11.2023
Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla

S’ka marrëveshje mes Kurtit dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takuan sot zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Në një diskutim të gjatë, kryeministri Kurti dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar fillimisht i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë.

Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës.

Përfundon takimi i NjSI-së me Kurtin

Takimi në mes të përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese me kryeministrin, Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përfunduar.

Takimi nisi në ora 16:00 dhe ende nuk dihet për detajet e takimit.

Gjatë këtij takimi raportohet se janë biseduar kërkesat e NjSI-së pas protestës për shtesat e rrezikshmërisë.

Po vazhdon takimi mes Kurtit dhe policisë edhe pas gati dy orësh

Aktualisht takimi brenda ndërtesës qeveritare mes kryeministrit dhe anëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese është duke vazhduar dhe nuk kemi informacion nëse është arritur ndonjë pajtim deri në këto momente, mirëpo takimi i cili ishte i thirrur për ora 16:00 ka filluar pra rreth orës 16:00.

Bashkë me këta pjesëtarë por edhe me shefin e tij qeveritar Albin Kurti të vazhdojë në takim. Nuk dihet se sa do të zgjasë takimi, mirëpo nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, kemi marrë vesh se pa pas orës 16”00 ka filluar edhe zyrtarisht mbledhja ndërkaq sigurisht që kjo ka ardhur si pasojë e pakënaqësive që janë ngjallur tek ky njësit pas publikimit të shtesave për rrezikshmëri në muajin e kaluar nga qeveria dhe që të njëjtit pra janë ranguar në shumën pre 150 eurosh për çdo pjesëtar të njësisë Speciale Intervenuese e njohur më herët edhe si FIT, edhe kjo ka ngjallur pakënaqësi te e cila ka pasur edhe me një protestë e cila është mbajtur me 1 nëntor pikërisht në vendin ku jemi duke u lajmëruar tash para ndërtesës së qeverisë edhe ku janë bërë të ditura kërkesat e tyre që janë kategorizimi i tyre si njësi të veçanta dhe shtesat prej 50 për qind nga paga bazë e tyre por edhe klasifikimi apo rangimi edhe për shtesat për kushtet specifike të punës.

Ato janë bërë publike nga njëri prej anëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese ndërkaq i është bërë thirrje edhe kryeministrit të reflektojë dhe t’ua plotësojë kërkesat e tyre meqenëse niveli i intervenimit të tyre dhe rrezikshmëria në rastin kur ata intervenojnë është shumë i lartë dhe kërkesat e tyre sipas tyre ishin të bazuara mirë.

Ndërkaq, pas një jave ishte paralajmëruar që do të ketë prapë protestë meqenëse nuk kishte pasur reflektim nga qeveria mirëpo në momentet e fundit ajo ishte anuluar meqenëse ishte arritur pajtimi që të zhvillohet takimi mes qeverisë dhe këtyre pjesëtarëve, takim ky që është duke vazhduar edhe më tej.

Nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, kemi marrë informacion që pas përfundimit të takimit do të lëshojnë një komunikatë për media, mirëpo ne bashkë me kolegët e mediave të tjera jemi duke pritur tash më shumë se një orë e gjysmë për të parë nëse kryeministri apo ministri i Brendshëm do të na japë ndonjë detaj në lidhje me takimin.

Takimi me NJSI-në, Sveçla arrin në objektin e Qeverisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka arritur në objektin e Qeverisë, për të marrë pjesë në takimin e kryeministrit Albin Kurti me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës (NJSI).

Brenda objektit janë edhe pjesëtarët e NJSI-së.

Pjesëtarët e NJSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Drejtori i policisë dhe pjesëtarë të “FIT”-it arrijnë në qeveri për takimin me Kurtin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sapo ka hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Ai dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese kanë arritur për takimin që do ta kenë me kryeministrin Albin Kurti.

Deri më tani kanë ardhur 3 vetura me rreth dhjetë policë.

Në këtë takim pritet që të flitet për kërkesat që kanë zyrtarët e njësive speciale për shtesat e rrezikshmërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat