Kurti kërkon njohjen nga Indonezia pasi pjesëmarrësi në Forum e pyet për qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale

Kurti kërkon njohjen nga Indonezia pasi pjesëmarrësi në Forum e pyet për qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 12:21
Kryeministri Albin Kurti dhe gazetari i Indonezisë

Kryeministri Albin Kurti ishte folës në një nga panelet e Forumit të Paqes në Paris ku foli për disa tema në lidhje me Kosovën, përfshirë edhe marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Një pyetje Kurtit iu parashtrua nga një gazetar i Indonezisë, i cili tha se edhe në vendin e tij ka qenë një çështje e ngjashme e territoreve, por që është tejkaluar nga lidershipet.

“Unë vij nga Indonezia dhe ka një lloj paralele historike, sepse Indonezia ka pasë Timorin Lindor me një ngjarje të dhunshme, sepse lidershipet e dy vendeve përpiqen ta hedhin pas të kaluarën. Pyetja ime: Çfarë mendoni që janë qëllimet e Serbisë për sa i përket Kosovës, ta marrë sërish apo që të krijojë jostabilitet të përhershëm? Çka është qëllimi?”, ishe pyetja për Kurtin.

“Mendoj që në njërën anë, ata duan të shohin ndarjen e Kosovës, do të donin një lloj kompensimi territorial për keqbërjet e tyre, por kjo s’është e mundur. Në anën tjetër, jemi dëshmitarë të përpjekjeve të destabilizimit në mënyrë rrotullues; në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Të gjithë fqinjët e Serbisë. Nganjëherë në vitet e fundit edhe në Maqedoninë e Veriut. Pra, fqinjët e Serbisë, për aq sa nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia. Dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Janë përfundimisht të hidhëruar shumë me këtë shpërbërjen e Jugosllavisë, sepse kanë menduar që do ta shkatërronin e do ta merrnin gjysmën. Nuk iu doli kjo e tash duan që ato keqbërjet e shekullit XX të kthyera në trishtimin e shekullit 21 të kompensohen duke fituar një lloj ndikimi ose në kryeqytetet fqinje të vendit të tyre ose duke përfituar me territoret e tjera. Është një mendësi tejet e vjetëruar. Besoj që BE mund të na ndihmojë shumë. Mu për këtë procesi i integrimit europian është ajo hekurudha, binarët në të cilët secili prej nesh duhet të jemi”, tha Kurti, i cili pati edhe diçka për të lobuar derisa po i përgjigjej indonezianit.

“Shpresoj që të marrim edhe njohjen nga Indonezia, sepse nuk besoj më që kemi çështje të hapura dhe do të ishte mirë që të fillojmë bashkëpunimin, marrëdhëniet bilaterale këmbimin ekonomik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat