Spahiu: Kurti s’e jep Asociacionin pa e marrë në këmbim njohjen

Aktuale

Spahiu: Kurti s’e jep Asociacionin pa e marrë në këmbim njohjen

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 23:33
Nexmedin Spahiu

Analisti politik dhe profesori, Nexmedin Spahiu, ka shprehur besimin e tij se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të kryejë një “tradhti kombëtare”, duke krijuar Asociacionin pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Unë mendoj që ai nuk do ta bëjë këtë tradhti kombëtare, s’e jep Asociacionin pa e marrë në këmbim njohjen. Njohje është kur ngritet flamuri i Kosovës në Beograd”, ka thënë Spahiu.

Ai ka theksuar se Asociacioni duhet të kuptohet se është një mjet për të arritur njohjen dhe se deri sa flamuri i Kosovës nuk ngrihet në Beograd, sipas tij, krijimi i Asociacionit nuk ka kuptim.

Ai ka thënë se njohja defacto dhe dejuro përfshihet në planin franko-gjerman, dhe se ky plan, sipas tij, duhet të zbatohet me vendosmëri ose të braktiset.

“Plani franko-gjerman e parasheh njohjen defacto edhe dejuro, edhe evropianët e kanë thënë këtë”, ka deklaruar Spahiu.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të mësojë nga gabimet e qeverive të mëparshme dhe të mos i përsërisë ato, duke theksuar se përsëritja e gabimit është më e madhe sesa gabimi paraprak.

“Asnjëra nuk duhet, as Asociacion as zgjedhje nuk duhet të kemi. Asociacioni duhet me kuptu që është çmim për njohje dhe deri në momentin kur të nuk ngritet flamuri i Kosovës në Beograd, nuk ka pse të krijohet Asociacioni. Ai është në planin franko-gjerman, dhe plani ose zbatohet ose nuk zbatohet. Kjo qeveri duhet të ketë mbledhur mend nga qeveritë paraprake të mos i përsërisë gabimet e atyre, sepse përsëritja e gabimit është më e madhe sesa gabimi paraprak”, ka deklaruar ai.

Spahiu më tej ka përmendur ish-udhëheqësit e tjerë politikë, të cilët sipas tij, ata kanë thënë se janë mashtruar nga partnerët ndërkombëtarë dhe që kanë pritur njohjen e Kosovës duke i ndjekur planet që u janë propozuar në dialog me Serbinë.

“Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Haradinaj mund të thonë se na kanë mashtruar, ju kemi besuar amerikanëve edhe falas e kemi zbatuar Planin e Ahtisarit, edhe kemi pritur që me e marrë njohjen, në fund qenkemi tradhtuar. Kjo gjë nuk lejohet për Kurtin sepse e ka përvojën e tyre më përpara”, ka deklaruar Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat