Të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria, Kurti emëroi edhe drejtorin e institutit për krimet e luftës

Aktuale

Të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria, Kurti emëroi edhe drejtorin e institutit për krimet e luftës

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 08:20 Përditësuar në ora: 12:24 më 08.11.2023
Qeveria

Qeveria miraton disa nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi gjashtë vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme. Qeveria iu dha dritën e gjelbër edhe disa nismave për marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Luksemburgut. Po ashtu miratuan plotësim-ndryshimin e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Krahas këtyre, emëruan Bislim Bislimin sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për një mandat katër vjeçar.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut për zhvillim të shkathtësive për punë të qëndrueshme do të lidh arsimin me punësim.

Nagavci: Lidhja e arsimit me punësimin është një prej prioriteteve të qeverisë sonë

“Lidhja e arsimit me punësimin është një prej prioriteteve të qeverisë sonë. Ky projekt pritet të ketë një impakt pozitiv dhe rezultate konkrete. Në rrafshin socio ekonomik ky projekt do të kontribuoj me rritjen ekonomike të Kosovës përmes modernizimit dhe mbështetjes së sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe reformave të tij”, tha ajo.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë identifikuar disa pengesa në marrëveshjen aktuale për ekstradim mes Kosovës dhe Italisë, andaj po i adresojmë përmes plotësim-ndryshimit të saj.

Haxhiu: Kemi identifikuar disa pengesa në marrëveshjen aktuale

“Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është dëshmuar vital në luftimin e krimit dhe sjelljen e të kërkuarve për vepra penale para organeve të drejtësisë. Ne me këtë ndryshim po synojmë të thellojmë këtë bashkëpunim. Në traktatin aktual kemi identifikuar disa sfida dhe pengesa andaj kemi adresuar përmes ndryshimit që po e prezantoj sot”, theksoi Haxhiu.

Kabineti qeveritar miratoi vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit “Ndërtimi i ndërtesës administrative për nevoja të Ministrisë së Financave, punës dhe transferove, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”, në Prishtinë.

Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Dragashit, për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të dy parcelave me sipërfaqe prej 18 mijë e 600 metrash katror, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e pikës grumbulluese të mbeturinave komunale për nevoja të fshatit Restelicë.

Po ashtu miratoi edhe Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri.

Bislim Bislimi emërohet sekretar i përgjithshëm në MKRS

Bislim Bislimi është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani propozoi emërimin e Bislimit dhe ai u votua unanimisht nga Ministrat.

Shtatë persona të tjerë kishin synuar të njëjtën pozitë, ndërsa kundërkandidati kryesor i Bislimit ishte Arian Ahmeti.

“Për pozitën sekretar i përgjithshëm kanë aplikuar 8 kandidatë, ndërsa 3 prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë, pasi i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me konkurs”.

“Pas vlerësimit profesional nga komisioni shtetëror i pranimit përmes testit me shkrim dhe intervistës, kandidatët fitues që janë vlerësuar mbi pragun 70% të pikëve janë Bislim Bislimi dhe Arian Ahmeti”, tha Gashani.

Qeveria shton dy projektligje në planin legjislativ 2023, shtynë disa tjera për vitin e ardhshëm

Qeveria e Kosovës e ka miratuar plotësim-ndryshimin e Programit Legjislativ për vitin 2023 në mbledhjen e së mërkurës.

Kryeministri Albin Kurti tha se në këtë ndryshim të programit legjislativ janë shtuar dy projektligje, janë bërë plotësim-ndryshimet e afateve për miratimin e projektligjeve të parapara si dhe disa janë shtyrë për vitin e ardhshëm.

“Kërkoj që të shtojmë dy projektligje dhe të bëjmë plotësim-ndryshimin e afateve për miratimin e projektligjeve të parapara në qeveri edhe të miratojmë shtyrjen e disave që për shkak të planifikimit më të mirë duhet t’i shtyjmë për vitin e ardhshëm”, tha Kurti.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bislim Bislimi u zgjedhë Sekretar i Përgjithshën në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndërsa Atdhe Hetemi drejtor ekzekutiv i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës. 

​Qeveria emëron drejtorin e institutit për krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë të përkushtuar për adresimin e krimeve të luftës.

Kurti para kabinetit qeveritar nënvizoi se ballafaqimi me të kaluarën është obligim për shtetin.

Për këtë arsye, Kurti tha se ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor të Institutit për krimet e luftës.

"Krimet e luftës dhe gjenocidi nuk janë e shkuara. Kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet të ballafaqohet me krimet e luftës", tha ai.

Sot mblidhet Qeveria

Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Mbledhja është njotuar të fillojë në ora 09:00.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit për Komunikim Publik.

Rendi i ditës së kësaj mbledhje nuk është bërë akoma i ditur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat