Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale, tregon pse ka bërë akuza të rënda ndaj Thaçit

Aktuale

Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale, tregon pse ka bërë akuza të rënda ndaj Thaçit

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 17:08 më 08.11.2023
Gjergj Dedaj

Gjergj Dedaj përfundon dëshminë, nesër vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve me dëshmitar të ri

Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Gjergj Dedaj ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

Sipas njoftimit, Gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të rifillojë nesër në orën 09:00 të mëngjesit.

Kështu pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj, seanca e sotme në gjykatën Thaçi etj. gjykimi është shtyrë. Gjykimi do të rifillojë nesër, më 9 nëntor 2023, në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit të radhës të SPO-së”, thuhet në njoftim.

Gjykatësi, Gjergj Dedajt: Sipas dëshmisë që po jepni, i bie që keni gënjyer hetuesit e EULEX-it

Njëri nga gjykatësit e turpit gjykues në Hagë e ka pyetur dëshmitarin në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, Gjergj Dedajn, në lidhje me dëshminë e tij në Hagë.

Gjykatësi ka thënë se sipas dëshmisë që ai ka dhënë gjatë tri ditëve në Hagë, i bie se e ka gënjyer hetuesin e EULEX-it, për shkak të ndryshimit të deklaratave të tij.

“Sipas dëshmisë që keni dhënë sot, i bie që ju keni gënjyer hetuesit e EULEX-it, apo jo? I bie që dëshmia që i keni dhënë EULEX-it ka qenë e rremë?”, e ka pyetur gjykatësi, Dedajn.

Dedaj ka insistuar se e vërteta e tij është ajo që ka rrëfyer para trupit gjykues në Hagë këtë javë.

“Tash po e them të vërtetën. Këto nuk qëndrojnë”, ka deklaruar Dedaj.

“Ju jeni i informuar që të mos ia tregosh të vërtetën prokuroir është vepër penale apo jo?”, ka insistuar me pyetje gjykatësi.

Dedaj ka thënë se është i informuar, por jo mjaftueshëm.

“Unë jam i informuar, por nuk kam qenë kurrë më parë nëpër gjykata dhe nuk kam pasur as këshillë juridike, as avokat”, ka thënë ai.

Gjykatësi ka kërkuar kalimin nga seanca e hapur, në seancë të mbyllur.

Dedaj merret në pyetje nga mbrojtja për një konferencë ku ai thotë se “UÇK-ja ishte në mbrojtje të pragut të shtëpisë”

Dëshminë në Dhomat e Specializuara të Hagës në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, e ka vazhduar për ditën e tretë, Gjergj Dedaj, dëshmitari i 33-të.

Mbrojtësi i Thaçit, Luka Misetiq dha si provë materiale para gjyqit, një video të dëshmitarit duke folur para gazetarëve më 23 shtator të 1998-ës për UÇK-në.

Misetiq pyeti Dedajn se “a janë të vërteta gjërat që i ka thënë në video dhe a janë të sakta” me atë se çfarë ai di dhe beson.

“Më vjen shumë keq që kjo video nuk është e tëra, kjo konferencë ka zgjatur më shumë, kam thënë mes të tjerash, nuk e di se ka efekt që ta them këtu, por kam thënë se UÇK-ja është në mbrojtje të pragut të shtëpisë, familjeve tona, nderit dhe kam ftuar popullin e Kosovës për solidaritet, kam ftuar NATO-n për me u solidarizuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, edhe gjëra të tjera”, është përgjigjur Dedaj.

“Edhe pse thashë se e kam dhënë këtë paraqitje para gazetarëve, nuk e di por diku dy orë pasi jam kthyer nga zonat e luftës, ku kemi parë një terror të tmerrshëm të forcave Serbe ndaj popullatës së Drenicës dhe gjendja jonë ishte e rëndë shpirtërisht, se çfarë kemi parë në Drenicë”, vazhdoi ai më tutje.

Ai u pyet se a kishte frikë për familjen e tij në kohën kur e ka përmendur UÇK-në.

“Vetëm nga Forcat Serbe, për vete nuk kam pasur frikë. Familja ime e dini edhe ju është njëra nga familjet që ka pësuar më së shumti në Kosovë nga Forcat Serbe”, u deklarua Dedaj.

"Unë jam përqendruar për të thënë të vërtetën dhe saktësinë në atë konferencë, sepse kishte shumë gazetarë në atë sallë, edhe gazetarë të huaj që raportin për mediat e huaja, ishte konferencë me rëndësi, por mund të them se disa individëve aty nuk u ka pëlqyer kjo paraqitje e imja”.

Dedaj flet për shkarkimin e tij si zëvendësministër i Transportit, Thaçin e quan ‘George Washington i Kosovës’

Në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Gjergj Dedaj ka fol edhe për shkarkimin e tij nga pozita që kishte si zëvendësministër i Transportit.

Dedaj tha se ka mëndu që është shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi mirëpo më vonë e ka kuptuar se nuk e ka bërë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për me e sqaru pak duhet. Unë jam ngarku nga Presidenti Thaçi, zëvendësministër i Transportit të asaj kohe, të premten, ka qenë ditë e premte dhe të shtunën ose të dielën pak ka rendësi, por pa shku në punë se të hënën fillon puna, jam shkarku dhe në media ka dal se Hashim Thaçi një herë e ngarkoi të premten, pastaj të njëjtin person presidenti Hashim Thaçi e shkarkoi zëvendësministrin e Transportit Gjergj Dedajn dhe në këtë ministri filloi të luftohet korrupsioni. Unë jo që jam shoku, por nuk e di vlla çka është me mu, e kam ndonjë copë ADN të çeliktë se ka pas me m’lshu zemra, pa shku kurrë asnjë sekondë në atë ministri dhe unë kam thanë si është e mundshme presidenti Hashim Thaçi me m’ngarku te premten, me m’shkarku. Këtë e ka bërë dikush tjetër që mund ta them në një seancë private”, tha Dedaj.

Gjatë këtij sqarimi, Gjergj Dedaj e quan Hashim Thaçin George Wshington i Kosovës dhe se shkarkimin e tij thotë se e ka bërë dikush tjetër për t’i futur në konflikt.

“E ka bërë dikush tjetër me na shti në konflikt me Presidentin Thaçi, por unë gjithnjë kam menu deri e kam sqaru se e ka bërë presidenti Thaçi. Unë me kanë praktikues i Kanunit ose ka mujtë me m’vra ose me u vra me Hashim Thaçin. Unë nuk jam, unë kurrë nuk jam, as ai as unë. Ne jemi njerëz, burrështetas jemi dhe i kam thënë okej, i kam dhënë 7 ditë afat në publik e kam thënë në media presidentit Thaçi që atëherë ishte kryeministër, me m’thirr dhe me m’tregu arsyen se pse me ka ngarku dhe pse me ka shkarku brenda 24 orëve dhe nëse nuk me thirr atëherë ka me kanë keq. Keq se ka me ndjek rrugë ligjore. Gjithnjë kam mëndu se me ka shkarku Hashim Thaçi dhe e kam pas një urrejtje ekstreme nëse kish ndodh kështu se ka mujtë me thanë s’ki me shku dhe okej. Mbas 5-6 ditëve jam taku me z. Thaçi, siç i kanë thënë George Washington-in e Kosovës dhe ka thanë, Gjergj nuk të kam shkarku unë”, tha Dedaj.

Akuzat e rënda ndaj Thaçit, Dedaj: Ishte për inate politike, deklarata të dhëna për hakmarrje – kam qenë në gjendje të rëndë

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut gjatë dëshmisë së tij në Gjykuatën Speciale në Hagë është paraqitur edhe një letër e tij të cilën ai e kishte dërguar aty në nëntorin e vitit të kaluar, shkruan Reporteri.net.

“Me postë nga Prishtina e kam dërguar në nëntorin e vitit të kaluar”, tha fillimisht Dedaj.

“Distancohem nga deklaratat e mia në Eulex dhe në ZPS, dhe pubike qe ne menyrë të padrejtë kam akuzuar njerëzit në Hagë, ishte për inate politike. Deklarata të dhëna për hakmarrje, kam qenë në gjendje të rëndë. Kam bërë deklarata të pamatura, të ekzagjëruara”, tha Dedaj në Hagë.

Në letër Dedaj kishte shkruar pse kishte bërë akuzat e rënda ndaj Hashim Thaçit për kohën e luftës, në të cilat ai e shënjestronte atë si përgjegjës për “sulme ndaj tij”.

“Për këtë letër mbaj përgjegjësi personale, pa asnjë nxitje, më ka buruar nga zemra. Unë qe 25 vjet nuk bëj gjumë të rehatshëm”, tha Dedaj.

Dëshmia e Dedajt vazhdon me prezantimin e konferencës për shtyp të delegacionit pas vizitës në Qirez me 1998

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po e vazhdon dëshminë e tij dëshmitari Gjergj Dedaj në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në pyetje këtë dëshmitarë është duke e marrë mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Luka Misetic.

Fillimisht, Misetic kërkoi që të paraqes konferencën për shtyp të 23 shtatorit 1998 të delegacionit të partive politike shqiptarë pas vizitës në Qirez dhe pas ngjarjes në Baicë.

Në këtë konferencë, Gjergj Dedaj tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë interesuar për aktivitetin e tyre politik.

Ndër tjerash, Dedaj kishte thënë se nuk kishte qenë i kërcënuar ndërsa sipas tij atë kohë kishte thënë se ndalesa e tyre ishte e pakuptimtë.

“Interesimi i tyre në radhë të parë ishte se pse nuk e kemi paralajmëru vizitën që mendoj se ne nuk do të paralajmërojmë vizitat se ku do të shkojmë asnjëherë dhe do të shkojmë edhe në territoret tjera sepse e kemi obligim të shkojmë tek njerzit tonë, tokat tona, trevat tona. Nuk kemi qenë të kërcënuar në kuptimin e fjalës kërcenim. Mendoj që ndalesa sipas menimit tim ishte e pa kuptimtë. S’ka pas arsye që ne te ndalohemi përderisa ne ishim të gjithë persona publik domethënë ishim njerëz që për aktivitetin tonë, punën tonë domethënë e dinte i gjithë opinioni dhe kemi punu në mënyre legale, prandaj ne nuk kishim shkuar që të bëjmë asnjë lloj propagande, as politike, as partiake, as kundër UÇK-së as kundër UÇK-së”, kishte thënë Dedaj në këtë konferencë.

Pas kësaj, Dedaj u pyet edhe për shenjat që iu shihen në video Sokol Blakajt. Dedaj tha se nuk e di dhe se ka pasur mundësi që të jetë rrëzuar.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Dedaj vazhdon dëshminë në Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe edhe dje Gjergj Dedaj ka dhënë dëshminë për ngjarjen e vitit 1998 në Drenicë.

Ai ka thënë se nuk mban mend se pas vizitës së tij dhe një delegacioni të Kuvendit më 1998-s në Qirez, është kërcënuar nga Thaçi për t’i braktisur pozitat që i mbante.

Ai ka thënë se UÇK-ja ka pasur plotësisht të drejtë të dyshojë në grupin nga Prishtina që kishte vizituar zonat e UÇK-së. Ai tha se qëllimi ishte për të parë terrorin serb që bënte në ato zona të Drenicës.

Dedaj theksoi se po të kishte mundësi UÇK-së, do t’i siguronte armë bërthamore. “Ne kemi pasur qëllim vizitën humanitare. Unë me pas mujt UÇK-së i kisha siguruar armë bërthamore, serbët kanë vrarë fëmijë, invalidë e popullatë”, tha ai.

Për Thaçin , ai tha se ka qenë shumë të interesuar i angazhuar të kryejë atë bisedime të ndaljes që ai e ka cilësuar të justifikueshme dhe të nevojshëm dhe më pas të kthehet në Prishtinë delegacioni.

Ai tha se nuk kenë qenë të arrestuar në Qirez nga askush. Sipas tij e vetmja gjë që i shqetësonte ishin sulmet qëi bënin forcat serbe.

Dedaj do ta vazhdojë dëshminë e tij edhe të mërkurën, kur pritet që t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat