Komisioni Evropian qorton Kosovën dhe Serbinë në raportin e progresit

Aktuale

Komisioni Evropian qorton Kosovën dhe Serbinë në raportin e progresit

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 20:39
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian qorton Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Kështu theksohet në progres-raportet për të dyja shtetet, të cilët janë parë nga Radio Evropa e Lirë.

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së, thuhet mes tjerash, ndërsa vëmendje të veçantë i është kushtuar normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Komisioni Evropian shpreh keqardhje që palët nuk kanë nisur ende me zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i zbatimit. Në progres-raport nënvizohet detyrimi i Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të propozimit të fundit të dorëzuar më 21 tetor.

Serbia kritikohet për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale në veri.

Raporti përmend si problematike edhe moshapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, moszbatimin e marrëveshjes për energjinë dhe faktin që Serbia nuk zbaton ujditë për kadastrat dhe diplomat universitare.

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.

Sa i përket përparimeve që ka arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.

Raporti vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike, duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.

Situata politike në Kosovë vlerësohet si e qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.

Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, pavarësisht faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.

Në fund të tetorit, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim një projektrezolutë që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton REL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat