Dy liderët e opozitës dhe një ministër të kërcënuar, policia po ofron mbrojtje

Aktuale

Dy liderët e opozitës dhe një ministër të kërcënuar, policia po ofron mbrojtje

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka ofruar ekip të mbrojtjes së afërt për dy liderët opozitar, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun. Për të dy këta, ky institucion thotë se në bazë të vlerësimit, kanë ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë. Siguri përmes mbrojtjes së afërt po i ofrohet edhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë për KosovaPress, se në lidhje me këtë e kishte informuar vet Policinë e Kosovës.

Ai konsideron se Serbia nuk është mjaftuar me aktin e agresionit më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, serbët nuk do të dorëzohen dhe do të sulmojnë kazerma, stacione policore, për çka vlerëson se institucionet duhet të jenë vigjilente.

Kastrati: Nenad Rashiq është kërcënuar, Policia ka ofruar mbrojtje të afërt

“Kjo që ka ndodhur dje nuk është asgjë e re. Unë para një kohe kam dhënë një informacion tek Policia e Kosovës që edhe ministri aktual i komunitetit serb, Nenad Rashiq, është kërcënuar në një mënyrë indirekte dhe serbët nuk e duan atë dhe çdo mundësi të mundshme e shikojnë që të përfundojë sikur që ka përfunduar Oliver Ivanoviq. Sepse ata nuk i duan serbët që janë në vijë me Republikën e Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe për ata arsye ata do të mundohen në çdo formë që t’i neutralizojnë këta kundërshtarë politik që i kanë për momentin...Për ministrin Nenad Rashiq e di personalisht që ka qenë i kërcënuar sepse e kam pasur informacionin nga një burim shumë i saktë dhe për arsye unë si qytetar, si njeri ndoshta mund të ndihmojë në ruajtjen e sigurisë, ruajtjen e njerëzve e kam dhënë këtë informacion në kohë dhe Policia ka marrë të gjitha ato veprimet me kohë dhe ka ofruar mbrojtje të afërt ”, deklaron ai.

Në vazhdimësi Rashiq ka deklaruar se ai edhe familja e tij kanë vështirësi gjatë udhëtimit për në Serbi. Ai ka përmendur djalin e tij, i cili ishte ndaluar për katër orë në pikat kufitare, siç ka thënë ai, nga njerëzit e BIA-s. Megjithatë, deri në publikimin e lajmit, ai nuk ka konfirmuar nëse i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës.

Kërcënimet ndaj dy liderëve opozitarë, Kastrati shton se janë një vazhdimësi e Serbisë për të arritur qëllimet e veta.

Kastrati: Serbia është e interesuar që Kosovën ta mbajë nën tension

“Kërcënimet e dy liderëve politik unë i shoh një vazhdimësi e Serbisë, sepse Serbia i bënë këto nëpërmes grupeve terroriste, grupeve kriminale për të arritur qëllimet e veta. Posaçërisht tani kur Serbia është nën presion për marrëveshjen përfundimtare me Republikën e Kosovës, për presionin që është duke ia bërë faktori ndërkombëtar për pranimin e Kosovës de-facto. Kjo do të thotë pranimi i të gjitha marrëveshjeve, të gjitha dokumenteve por edhe mos-pengimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet apo mekanizmat ndërkombëtar... Serbia është e interesuar që Kosovën ta mbajë nën tension, nëse është e mundur të iniciojë edhe konflikte, sepse këtë detyrë e kanë marrë në Moskë. Vulin dhe Dodik kur kanë qëndruar atje e kanë marrë si mision, si rekomandim nga presidenti Putin që duhet në Ballkan të mbahet situata nën tension, mundësisht të ketë edhe konflikt”, shton ai.

Në përgjigjen për KosovaPress, Policia e Kosovës konfirmoi se ndaj krerëve të partive opozitare ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë.

“Policia e Kosovës në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore që ka, bënë edhe vlerësimin e sigurisë së personaliteteve të rëndësisë së veçantë dhe varësisht nga informacionet apo të gjeturat ndërmerr masat për ofrimin e sigurisë. Në këtë rast edhe ndaj personaliteteve në fjalë ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë dhe të njëjtëve sipas vlerësimit iu është ofruar siguri”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë ditës deklaroi se nuk është ndjerë asnjëherë i kërcënuar. Ai theksoi se ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë për t’ia ofruar mbrojtjen e afërt.

Krasniqi: Nuk jam ndjerë kurrë i kërcënuar

“Nuk jam as jam ndjerë kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë rrjedhë informacione, ose publikuar informacione për kërcënime me vrasje, siç i dini para pak muajsh. Por ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast Policisë së Kosovës, unë besoj edhe me organet tjera të ndërlidhura e ndërvarura që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt për arsye që unë besoj që ata do të duhej ata t’i tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe me situatën e tensionuar të përkeqësuar pas sulmeve në veriun e vendit”, deklaroi ai.

E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri deklaroi se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku nuk ka ndërprerë punën e tij.

Ai theksoi se është rritur kujdesi i organeve të sigurisë ndaj kreut të kësaj partie, por nuk ka ndryshuar asgjë në agjendën e tij.

Haziri: Abdixhiku nuk ka ndërprerë asgjë në punën e tij

“I ka besuar vlerësimeve të organeve të shtetit, dhe po sillet karshi atij vlerësimi. Nuk ka ndërprerë asgjë në punën e tij, në agjendën politike edhe në rutinën e tij. Sepse, policia e shtetit ka ka kapacitete e mjaftueshme profesionale me siguru, me garantu. Dhe kjo nuk e prek në asnjë mënyrë agjendën e tij, vetëm është rrit kujdesi i organeve të sigurisë. Nuk është për të diskutuar më shumë, sepse morëm vesh që edhe të tjerëve u janë vendosur masa të njëjta. Pasiguri juridike në Kosovë ka, mos të flasim pasiguri fizike, dhe kjo është më problematike dhe më serioze dhe na shqetëson si LDK më shumë”, ka thënë Haziri.

Së fundmi është raportuar që policia ka marrë në mbrojtje krerët e partive opozitare në vend për shkak të kërcënimeve nga grupet terroriste serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat