Gjergj Dedaj falënderon Thaçin: Më mirë shkoj në burg, kurrë në jetën time askush se ka prekur fytyrën time

Aktuale

Gjergj Dedaj falënderon Thaçin: Më mirë shkoj në burg, kurrë në jetën time askush se ka prekur fytyrën time

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 06:34 Përditësuar në ora: 17:07 më 07.11.2023
Gjergj Dedaj

Për deklaratën e Sanie Aliut, Dedaj thotë se ajo mund të ketë parë ëndërr ose halucinacione

Mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, ia ka prezantuar Gjergj Dedajt një deklaratë, të cilën sipas tij anëtarja e delegacionit, Sanie Aliu e kishte dhënë për gazetën “Koha Ditore” në shtator të vitit 1998. Për këtë, Dedaj thotë se ajo mund të ketë parë rëndërr ose halucinacione.

Në këtë deklaratë, sipas Misheqit, Aliu kishte thënë se në Qirez ishin ndaluar nga Policia sekrete e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila iu kishte thënë se të gjithë përfaqësuesit politikë janë të arrestuar ndërsa gratë dhe gazetarët janë lënë që të shkojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Citon zonjën Aliu; papritmas në zyrë hynë një grup i ushtarëve të UÇK-së, rreth dhjetë veta të armatosur rëndë dhe i kërkuan nga të gjithë të pranishmit letërnjoftimet për t’i dërguar për verifikim. Pas një kohe, kërkuan nga shoferët e automjeteve tona të dalin jashtë kurse njëri prej tyre që u prezantua si udhëheqës i shërbimit sekret të UÇK-së me ton kërcënues na pyeti ‘pse keni ardhur këtu të mbani këtë në mbledhje’ shpjegoi zonja Aliu dhe shtoi se ata u interesuan të dinë për qëllimin dhe organizatorin e kësaj vizite”, tha Mishetiq.

Nga avokati, Dedaj u pyet nëse pajtohet me deklarimin e Aliut.

“Pasi na e kthyen letërnjoftimin, ata thanë se përveç femrave dhe gazetarëve, të gjithë përfaqësuesit politikë janë të arrestuar nga policia serkrete e UÇK-së, pohoi ajo duke u thënë atyre grupit të policisë sekrete të UÇK-së i cili më tej kishte theksuar se ata do të arrestohen dhe të gjithë ata që flasin dhe shkruajnë kundër UÇK-së. A pajtoheni ju me ato që zonja Aliu i ka treguar “Kohës Ditore” më 22 shtator të 1998, a ka ndodhë ashtu?”, tha avokati Mishetiq.

Ndërsa, Dedaj u përgjigj që Aliu mund të ketë pasur halucinacione, sepse një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë.

“Ajo ka mujtë me pa ëndërr ose me pas ndonjë halucinacion, por nuk ka qenë e vërtetë plus grupi që është kthyer për Prishtinë menjëherë nuk është korrekt, ata mund të spekulojnë se ata janë shku menjëherë për Prishtinë. Ata që kemi mbet aty, 13 prej nesh ata mund të flasin se është e drejtë e tyre. Po ata që s’kanë qenë aty e tash flasin, unë nuk mundem me ia mohu, secili ia ka fut kot sipas dëshirës së vetë”, tha Dedaj.

Dedaj tha se nuk është i habitur nga deklarata e Jusuf Telakut e dhënë për EULEX-in, ku kishte thënë se Hashim Thaçi nuk kishte qenë i pranishëm në Qirez

Dedaj: Unë po e pësoj, ka hakmarrje ndaj fëmijëve të mi që janë në punë

Gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se është duke pësuar, si dhe ka hakmarrje ndaj fëmijëve të tij të cilët janë në punë.

Dedaj tha se përveç në Facebook, ka ofendime edhe nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më brengos shumë dhe më lë pa gjumë edhe fëmijët e mi më kanë shkru mramë. Kam marrë me qindra ofendime prej hienave të Facebook-ut, miliongonave, mushkonjave të Facebook-ut, por edhe nga Zyra e Presidentes të ashtuquajtur Osmani, e cila e dimë se si ka ardhë Presidente, u kanë në LDK, e ka keqpërdor LDK-në…Unë jam ka pësoj dhe ka hakmarrje edhe ndaj fëmijëve të mi që janë në punë”, tha Dedaj.

Lidhur me deklaratat e tij të pasluftës, Dedaj tha se ka hulumtuar dhe e ka kuptuar që lidhur me atë ngjarje Hashim Thaçi është i pafajshëm.

“Të gjitha deklaratat e mia prej vitit 2001 dhe deri e kam kuptu atë, më është dashur shumë kohë me e kuptu saktë se kush ka bashkëbisedu me mu, posaçërisht grupi kush ka qenë që është përplas me ne. Sot e asaj dite dhe nuk kam dëshirë me vdekë pa i ditur ata emra se kush kanë qenë ata. E kam vizitu edhe Qirezin, kam shku edhe në Qirez me mbledh informacione në Drenicë e ku kam mujtë me e ditë saktë se kush ishte fajtor dhe ka fundi, mas një kohë shumë të gjatë, jo për me justifiku diçka këtu, jam bind se Presidenti Hashim Thaçi, ama bash lidhje as fajin më të vogël nuk e ka për atë situatën në Qirez dhe Baicë”, tha Dedaj.

Tutje, Dedaj tha se e falënderon Thaçin, pasi që sipas tij ai i ka shpëtuar.

“Sikur të ishte e kundërta i kisha thënë që është fajtor dhe as nuk mërzitna. Është absolutisht i pafajshëm, bile vetëm e falënderoj, mos të kishte qenë ky në atë moment atje nuk e di se çfarë do të kishte ndodhë me ne, kjo është e vërtetë”, tha tutje dëshmitari Gjergj Dedaj.

Dedajt nuk i pëlqejnë pyetjet e ZPS-së: Më me dëshirë mbaj burgim të përjetshëm, ose të pushkatohem

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë e ka vazhduar dëshminë Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të (me kodin W03825) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dedajt nuk i kanë pëlqyer pyetjet e prokurores, e cila insistonte te ai të tregonte si i ka pësuar disa lëndime në dorë.

Dedaj tha se është rrëzuar disa herë në Baincë dhe Qirez, dhe për këtë arsye ka pësuar lëndime.

Tutje, ai tha se më me dëshirë pranon të mbajë burgim të përjetshëm ose të pushkatohet sesa të përballet me këto pyetje.

“Te shkolla ‘Migjeni’, ka qenë natë dhe shi… duke shkuar në tualet, ka qenë disa metra jashtë objektit, ka qenë terren i rrëshqitshëm dhe me gropa, këtë e thashë dhe ka me thënë 100 herë. Me këto cka po tregoni tash, vetëm po na e shkatërroni jetën, s’po fiton asnjë gjë. Unë më para, me siguri keni dhoma të burgut me shku në burg të përjetshëm me shumë dinjitet e gatishmëri, edhe në pushkatim, por mos me më qit në pozita të rënda shpirtërore e familjare”, tha ai.

Madje, Dedaj u tregua i ashpër me prokuroren, duke i thënë se “kanë qëllime dhe porosi të tjera”.

“S’kam mujt me pas video se ku po rrëzona , kjo është absurd, nëse keni qëllime tjera dhe porosi të tjera, kryeni”, tha ai.

“A i sheh lëndimet Sokol Blakajt?” – “Po e shoh Sokolin”- Dedaj nervozohet sërish me prokurorët e Speciales

Ish-ambasadori, Gjergj Dedaj, ka vazhduar të merret në pyetje sot nga Gjykata Speciale në Hagë.

Atij i është prezantuar një foto e Sokol Blakajt, emri i të cilit është përmendur se bashkë me Dedajn e disa të tjerë, është ndaluar nga UÇK-ja. Për të njëjtin, Prokuroria thotë se Dedaj kishte thënë se ka pasur lëndime në fytyre.

Në këtë formë, gjatë seancës, atij i është paraqitur një foto e Blakajt para mediave i mavijosur në fytyrë.

Dedaj tha se në këtë foto sheh Sokolin, mirëpo jo diçka më shumë.

Gjergj Dedaj: Kam qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, emocionale, psikologjike. Jam distancuar nga ajo që kam thënë nga 2001 deri 2014.

Prokurorja: Në maj të 2014-ës keni thënë që Sokol Blakaj është lënduar në fytyrë.

Gjergj Dedaj: Nuk jam mjek as s’kam qenë mjek me kqyr kush kur është lëndu. Unë po shoh një shejë, por po të ishte gjallë Sokol Blakaj do të ishte më mirë që ai ta tregonte se ku qysh është lëndu, se unë s’kam qenë as mjek as kontrollues i tyre.

Gjergj Dedaj: Lëndimi im ishte nga rrëzimi. Unë kam drejt mu rrëzu. Kam drejt mu ngrit.

Gjergj Dedaj pyetet nga mbrojtja e Thaçit për Mehmet Hajrizin, Gani Krasniqin, Gani Kocin dhe Veton Surroin

Pas përfundimit të pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuara kundërpyetjet për dëshmitarin Gjergj Dedaj i ka filluar mbrojtja e Hashim Thacit përmes avokatit, Luka Misetic.

Me fillim avokati Misetic pyeti Gjergj Dedajn për disa persona siç është Mehmet Hajrizi.

“Nuk e di datën, por e di se disa struktura disa individë janë largu nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Dedaj në pyetjen për Mehmet Hajrizin.

Dedaj u pyet edhe për persona si Gani Krasniqi, Gani Koci dhe Veton Surroin.

“Ka pas individë që janë largu nga Lidhja Demokratike të Kosovës. Edhe ai (Gani Krasniqi) si duket është largu nga strukturat e LDK-së. E kam thanë dhe jam i bindun se (Gani Koci)  ka dal nga strukturat e LDK-së dhe domethënë ka kalu në UÇK. (Veton Surroi) nuk ka qenë anëtar i LDK-së, ai ka pas një lëvizje ku i di edhe ka qenë më shumë i shoqërisë civile”, tha Dedaj.

Brenda strukturave të LDK-së, Dedaj tha se ka pasur përqarje edhe para daljes së UÇK-së në skenë.

“Ka pasur përparje se një pjesë e individëve mendonte se nuk mund të zgjidhet çështja e Kosovës vetëm me konferenca shtypi, domethënë vetëm me paraqitje politike publike por duhet pasur një organizim aktiv dhe me daljen në skenë të UÇK-së në nëntor të vitit ’97 situata ka ndryshu shumë në terren”, tha Dedaj.

Ndryshe, avokati Misetic tha se marrja në pyetje e këtij dëshmitari nga ana e tij do të zgjasë edhe gjatë paradites së nesërme.

ZPS prezanton dokumente që pretendohet se Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut lidhur me incidentin në Baicë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në seancën e së martës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka prezantuar dokumente që sipas tyre, Gjergj Dedaj ia ka dhënë UNMIK-ut në vitin 2001, e që lidhen me incidentin në Qirez-Baicë.

Fillimisht, ZPS-ja ia prezantoi Dedajt një dokument, i cili mbante datën 4 shtator 2001, e që ai tha se nuk ka kurrfarë rëndësie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për menimin tim nuk kanë kurrfarë relevance. Domethënë këto kanë qenë një fletushkë partiake që është botu, ka mujtë secili me e pas në dorë. Nuk është kurrgjë sekret, s’është kurrgjë ngarkuese, s’është asgjë e rëndësishme, për menimin tim. Është njëfarë informatori që është botu në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe unë s’e kam botu, as s’e kam shkru dhe unë mendova se çfarë dokumenti doni me qit, por e di se nuk ka kurrfarë dokumenti lidhur me këtë. Copat e gazetave janë si gazetat e Ballkanit ma. Ky nuk është kurrfarë dokumenti. Copat e gazetave nuk munden me qenë dokumente, aty mundet me shkru çdokush çka don sipas dëshirës”, tha Dedaj.

Dokumentin e dytë që sipas ZPS-së, Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut ishte një artikull i gazetës “Koha Ditore”, i datës 27 shtator 1998.

“Ky është një artikull gazete i ‘Koha Ditore’ me datë 27 shtator 1998 që ju ia keni dhënë UNMIK-ut më 4 shtator 2001, ky është nënshkrimi juaj në fund të faqes. Ju ia keni dhënë këtë informacion UNMIK-ut sepse mendonit që aty përmbahej apo kishte informacion lidhur me atë se çfarë iu kishte ndodhur ju. A është e vërtetë kjo?”, tha prokurorja.

Dedaj tha se ky artikull i “Kohës Ditore” është një ‘copë letre publike’, të cilën ka mundur ta ketë UNMIK-u edhe më herët.

“Kjo është një gazetë publike që ka dalë çdo ditë dhe ka mujtë me e pas UNMIK-u para meje, mas meje dhe ka mujtë me e pas secili qytetar i Kosovës dhe jashtë saj. Ky nuk është kurrfarë dokument as sekret as asgjë, është një copë letre publike”, tha Dedaj.

Ndërsa, prokurorja i tha Dedajt se ky dokument nuk i shkoi nga dikush tjetër por nga ai.

Dokumenti tjetër që iu prezantua ishte një tjetër artikull gazete i datës 2 shtator 1998, për të cilin Dedaj tha se në të flitej për shqiptarët të cilët ndodheshin para një katastrofe të vërtetë humanitare.

“Këtu flitet për të zhvendosurit, shqiptarët që janë ndodhë para një katastrofe të vërtetë humanitare për të cilën katastrofë shumë pak janë interesu”, tha Dedaj.

Lidhur me atë nëse arsyeja e dhëniës së këtij artikull UNMIK-ut bazohej në atë se ai besonte se kishte lidhje me incidentin, Dedaj tha se mund të ketë lidhje dhe se kjo gazetë është publike e mund ta kishte edhe UNMIKU.

“Edhe mund të ketë lidhje. Lufta ime 25-vjeçare, përveç që kam bërë luftën ballë për ballë me regjimin e Millosheviqit çdo ditë dhe çdo natë dhe kam pagu mas shtrenjti në Kosovë, lufta ime këto 25 vjet ka qenë edhe zbardhja e të vërtetës të asaj që kemi pas në Qirez dhe Baicë. Kjo ka qenë një luftë që me mundon edhe sot e kësaj dite dhe që familja jem po e pagun mas shtrenjti këtë. Bile e kemi pagu edhe me shkarkim nga pozita e ambasadorit”, tha Dedaj.

Dokumenti i radhës që sipas ZPS-së, Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut ishte një artikull i gazetës ‘Bota Sot’ i datës 9 korrik 2000. Por, Dedaj tha se dëshiron që të kalojë në seancë private.

“Dëshiroj të kaloj në seancë private, nëse është e mundur sepse unë kam fëmijë në Prishtinë, kam nipa e mbesa në Prishtinë dhe unë jam shumë i shqetësum edhe një herë po e them për fatin e tyre, jo për fatin tim, fati im nuk është i rëndësishëm”, tha Dedaj, por kërkesa u kundërshtua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Tutje, Dedaj tha se refuzimi që po i bëhet që të dëshmojë në seancë private është rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës dhe familjes së tij.

“Kur këto janë shkrime të gazetave edhe UNMIK-u edhe secili në botë ka pas mundësi me i pas. Shkrimet e gazetave normal që ia kam dhënë unë, kur është nënshkrimi im unë nuk muj me… Por, kjo çka po me pyetet dhe kjo që po me refuzohet për me pas seanca private, kjo është rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës, familjes sime. Këtë besoj që nuk keni të drejtë me e bë, po keni mundësi dhe bëjeni”, tha Dedaj.

Pas kësaj, me kërkesë të prokurores, seanca kaloi e mbyllur për pak minuta për t’u hapur sërish me prezantimin e dokumenteve të tjera.

Para prezantimit të këtyre dokumenteve, ZPS prezantoi një letër, të cilën sipas tyre Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut në shtator të vitit 2001, ku kishte përshkruar trajtimin që kanë pasur anëtarët e delegacionit të partive politike nga Prishtina në shkollën e Baicës si dhe konferencën për shtyp pas kësaj ngjarje.

ZPS thotë se në këtë letër, Dedaj kishte thënë se në konferencën për shtyp në Prishtinë nuk kishte folur për dhunën që u ushtrua ndaj tyre për arsye sigurie.

Dedaj tha se ajo konferencë ka qenë historike dhe se ka dëshirë edhe tash pas 25 viteve që ta dëgjojë. Tha se nuk ka qenë asnjëherë i rrezikuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Domethënë edhe në luftë secili o i rrezikum. Sa i përket UÇK-së unë personalisht asnjëherë nuk kam qenë i rrezikum, përkundrazi kam qenë i mbrojtur kur kam pasur nevojë”, tha Dedaj.

Pyetet për dokumentin që ia kishte dorëzuar gazetës “Bota sot” dhe UNMIK-ut, kështu përgjigjet Gjergj Dedaj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka vazhduar dëshminë e tij Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të me radhë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë seancës, Dedaj është pyetur nga Prokurorja për një dokument të cilin ai ia kishte dorëzuar fillimisht gazetës “Bota sot” për publikim më 9 korrik të vitit 2000 dhe të njëjtin më pas e kishte dorëzuar në UNMIK më 4 shtator të vitit 2001.

Pas kësaj pyetje Gjergj Dedaj ka thënë se ndihet i rrezikuar dhe ka kërkuar që procesi të kalojë në seancë private.

Megjithatë, kjo kërkesë iu refuzua nga gjykatësi dhe Dedaj vazhdoi të tregonte se e kishte dorëzuar dokumentin në fjalë tek UNMIK-u.

Pjesë nga seaca:

Dokumenti 034162: Në fund të kësaj flete këtu është kryeartikulli i “Bota sot”, gazetës “Bota sot”, pra 9 korriku i vitit 2000 që ju keni nënshkruar më 4 shtator 2001 dhe ia keni dorëzuar UNMIK-ut a është e vërtetë kjo?

Dedaj: Dëshiroj të kaloj në një seancë private:

Gjykatësi: Për çfarë arsye?

Dedaj: Sepse unë kam fëmijë në Prishtinë, kam nipa e mbesa në Prishtinë dhe unë jam shumë i shqetësuar për fatin e tyre. Jo për fatin tim, fati im s’është i rëndësishëm.

Gjykatësi: Kërkesa juaj ju rrëzohet!

Prokurorja: Dëshmitar, a ja keni dhënë këtë dokument UNMIK-ut sepse besonit se kishte lidhje me ngjarjet e shtatorit 98.

Dedaj: Kur këto janë shkrime të gazetave edhe UNMIK-u edhe secili në botë ka pas mundësi me i pasë shkrimet e gazetave. Normal që ia kam dhënë unë, se kur është nënshkrimi im unë nuk muj me e mohu, por kjo çka po pyetem dhe kjo që po më refuzohet për me pas seancë private, kjo është rrezikim i drejtpërdrejt i jetës së familjes sime.

Dedaj, gjykatës: Po i hapni plagët e Kosovës, po e pengoni procesin e pajtimit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vazhduar dëshminë Gjergj Dedaj, i cili është dëshmitari i 33-të në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë seancës atij iu lexua edhe dëshmia që kishte dhënë në maj të 2014, derisa në të përmendet një takim i tij me Thaçin.

“Me Hashim Thaçin jemi përshëndet burrnisht sikur që duhet dhe tjerat nuk më kujtohen, edhe unë nga këto deklarata me letrën që ju kam dërguar vitin e kaluar jam distancuar komplet sepse ka qenë deklarata në gjendjen time të rëndë… procesin e rivarrimeve ndoshta, edhe kam pasë idhnim, idhnime kam pasë shumë të mëdha. Për ju e pabesueshme ndoshta edhe ekzagjeruese, të tepërta dhe nga këto të gjitha jam distancuar”, ka thënë Dedaj në gjykatore.

“Tash ju po më riktheni prap në këto, po i hapni plagët e Kosovës dhe plagët e mia, po e pengoni procesin e pajtimit dhe të faljes”, u shpreh ai.

ZPS thotë se Dedaj kishte deklaruar që Enver Maloku i kishte thënë Gecit se po planifikohej protestë për arrestimin e delegacionit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në seancën e së hënës tha se në deklaratën e vitit 2014, dëshmitari Gjergj Dedaj kishte thënë se Sabit Geci kishte biseduar në telefon me Adnan Merovcin dhe Enver Malokun, ku ky i fundit i kishte thënë se populli në Prishtinë po planifikonte protestë lidhur me arrestimin e tyre.

Prokurorja e pyeti Dedajn nëse pas kësaj bisede që dëshmitari kishte dëgjuar, a iu thanë se grupi ishte i lirë.

“Ju i keni thënë Prokurorit; Hashimi dhe të tjerët të cilët i kam përmendur, kishte edhe të tjerë por këta dukeshin se ishin më të rëndësishmit. Sabiti e thirri Adnan Merovcin- këshilltarin e Rugovës dhe Enver Malokun i cili drejtonte qendrën informative të Kosovës. Ata biseduan me Adnanin përmes telefonit, nuk e di se çfarë përgjigjesh iu kishte dhënë Adnani. Ata e pyetën Enverin se si ishte situata në Prishtinë dhe se çfarë kishin thënë lidhur me arrestimin tonë. Ai iu tregoi atyre se situata ishte shumë e tensionuar dhe se populli po donte të organizonte një protestë. Organizatori kishte shkuar tek Rugova me u njoftu, por Rugova si njeri i mençur dhe i urtë iu kishte thënë ‘jo, mos protestoni’. A ka qenë kështu biseda që keni degju ju në mes Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa i takon reagimit në Kosovë sa i takon arrestimit dhe ndalimit tuaj?Pas kësaj bisede që dëgjuat dhe ku u diskutua lidhur me një protestë, iu thanë më pas që ishit të lirë grupi juaj?”, tha prokurorja.

Dedaj tha se gjithnjë kanë qenë të lirë dhe nuk kanë qenë asnjëherë të ndaluar.

“Si kemi mbërritur në Qirez, ne kemi qenë të lirë. Ne në fakt kemi qenë gjithnjë të lirë, nuk kemi qenë as të arrestum, as s’kemi qenë të lidhun, domethënë ne ishim të lirë, por problemi ishte të gjejmë mënyrë më të lehtë të kthehemi në Prishtinë, pa probleme, pa u ndeshur me forca serbe”, tha Dedaj.

Tutje, prokurorja tha se Dedaj kishte treguar se çfarë kishte ndodhur në një shtëpi që UÇK-ja i kishte dërguar në përiferi të Qirezit.

“Ju pyetën; Çka ndodhi atë natë në atë shtëpi në përiferi të Qirezit, jo në Baicë? Ju jeni përgjigjur: Aty, ata na thanë se ishim të lirë dhe se nuk gjetën asgjë për të thënë se ne kishim bërë ndonjë gabim, por thanë se nuk dinin ku me na çu dhe çka me ba me ne. Pra, ju jeni liruar pas kësaj bisede”, tha prokurorja.

Dedaj tha se që nga nisja për në Baicë “de facto” kanë qenë të liruar dhe se është meduar strategjia se si të kalohet në Prishtinë pa pasur takim me forcat serbe.

“E di se që nga nisja prej Baicë domethënë de facto kemi qenë të lirum, vetëm është menu strategjia sesi me na deportu për Prishtinë pa pas takim me forcat serbe të cilat kanë pas mundësi me na vra dhe me e etiketu dhe fajësu UÇK-në”, tha Dedaj.

 

“Jam distancuar nga deklarimet e mia” – Dedaj mohon që Thaçi e ka kërcënuar me vrasje

Gjergj Dedaj ka vazhduar dëshminë e tij para Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale ku ka thënë se është distancuar nga deklarimet që i ka dërguar në Speciale në vitin e kaluar pasi sipas tij, ai i ka bërë në gjendje të rëndë.

Në pyetjen e Prokurores lidhur me një dëshmi të tij në maj të vitit 2014.

“Prokurori ju pyet, kush ju tha juve të shkoni lart në mal, ju u përgjigjët: Hashim Thaçi, ai më kishte kapur dorën, më kishte shtrënguar dorën dhe më kishte thënë se kur të mbërrini në Prishtinë unë do të duhej të hiqja dorë nga funksioni i Nënryetarit të Parlamentit të Kosovës dhe nga posti i Presidentit të Partisë Liberale të Kosovës. Unë i thash se nuk do të hiqja dorë nga asnjëri prej këtyre funksioneve dhe nuk heqa dorë. Hashimi më tha edhe nëse je i lirë tani, ne mund të vrasim në Prishtinë, sepse i kemi njerëzit tanë në Prishtinë dhe ngjitëm malit”, tha prokurorja.

Dedaj ka thënë se ndoshta ka pasur idhnim dhe deklarimet e tij i ka cilësuar si revanshuese dhe ekzagjëruese e të tepërta,.

“Nuk më kujtohet dhe me Hashim Thaçin jemi përshëndetur burrnisht, jo si tani që përshëndeteshim në Covid, por jemi përshëndetë si burrat me dorë, si duhet, dhe tjetër nuk më kujtohet. Unë me këto deklarata që i kam dërguar vitin e kaluar jam distancuar komplet sepse kanë qenë deklarata të dhëna në gjendjen time të rëndë, në procesin e rivarrimeve, ndoshta kam pasur idhnim, idhnime kam pasë shumë të mëdha, për ju të pabesueshme, ishalla kurrë nuk i përjetoni, dhe ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjëruese, të tepërta dhe nga të gjithat jam distancuar dhe të më ktheni në këto ju vetëm po i hapni plagët e Kosovës dhe plagët e mia dhe po e pengoni procesin e pajtimit dhe të faljes.”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat