Dëshmitari Dediq thotë se para betejës në Rahovec, autoritetet serbe shpërndanin armë për civilët

Aktuale

Dëshmitari Dediq thotë se para betejës në Rahovec, autoritetet serbe shpërndanin armë për civilët

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Predrag Dediq, teksa foli për betejën e 18 korrikut 1998 në Rahovc, tha se autoritetet serbe po shpërndanin armë dhe municion për civilë, sikurse ai.

Ai tha se kur filloi beteja, civilët e tjerë që jetonin në Rahovec, kishin pistoleta dhe municion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ju pritej që të bashkëpunoni me ushtrinë dhe policinë për t’i mbrojtur serbët nga ndonjë sulm?”, pyeti avokati i Thaçit, Gregoy Keohe, ndërsa dëshmitari e pohoi këtë gjë.

“Nuk mora një pushkë, por një revolver dhe kisha leje për të”, tha dëshmitari, duke shtuar se kanë marrë edhe municion.

Në kohën kur ndodhi sulmi i 17 korrikut 1998, dëshmitari tha se ka qenë në shtëpi me gruan dhe se aty afër nuk kishte serbë të tjerë.

“Po, isha në shtëpi vetëm. Vetëm me grua, aty afër nuk kishte serbë të tjerë për gjatë ditës së atij sulmi”, tha dëshmitari.

Sipas tij, gjatë kohës së betejës nuk ka parë ndonjë rrëmbim të civilëve serbë nga UÇK-ja.

“Jo, nuk kam parë diçka të tillë. Ashtu është”, tha Dediq.

Marrja në pyetje e këtij dëshmitari në DhSK, është përcjellë me probleme teknike në transmetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat