Sveçla për kërkesat e NjSI-së: Kosova, vend i varfër me buxhetin më të vogël në Evropë

Aktuale

Sveçla për kërkesat e NjSI-së: Kosova, vend i varfër me buxhetin më të vogël në Evropë

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 18:24
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së pjesëtarëve të Njësitit Special Intervenues, (NjSI) të cilët u mblodhën sot para ndërtesës së qeverisë.

Teksa ka folur për kërkesat e tyre, Sveçla ka thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë por se ky vend është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.

“Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ministri Sveçla ndër të tjera ka thënë se me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i ka gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor.

“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.

Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka vijuar Sveçla.

Ai tutje ka thënë se angazhimi i qeverisë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin.

“Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues”, ka theksuar ai.

Ndryshe, sot kanë mbajtur protestë pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës të cilët u mbledhën para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës.

Ata kanë protestuar me kërkesën për kushte më të mira duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.

Bashkë me ta ishte edhe Njësia për Eksploziv dhe Deminim.

Ata i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat që i janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë sidomos përfshirjen e shtesave të parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, operatorët e këtyre njësive janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve dhe në rastin ku cenohet siguria kombëtare përkatësisht janë të specializuara në trajtimin e kërcënive me eksploziv dhe bomba gjithashtu edhe në situata ku rrezikshmëria vlerësohet tejet ekstreme prandaj jemi njësitë elite të Kosovës”, ka thënë një nga pjesëtarët e NJSI-së.

Ai ka thënë se si njësi janë të përgatitur dhe të barabartë me njësitë elite të botës.

“Jemi të përgatitura dhe të barabarta me njësitë elite të botës, një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore dhe gara ndërkombëtare në të cilat kemi treguar rezultate të shkëlqyera”.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat