Hoti: Qeveria për tri vite menaxhoi mbi tetë miliardë euro, asnjë projekt madhor

Aktuale

Hoti: Qeveria për tri vite menaxhoi mbi tetë miliardë euro, asnjë projekt madhor

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 15:27
Avdullah Hoti

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se do ta analizojnë projekt-buxhetin për vitin 2024.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se buxhetet e saj janë bërë dokumente abstrakte të padobishme.

Sipas tij, në vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset.

“Do ta analizojmë projekt-buxhetin për 2024 në ditët në vijim. Por problemi është se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme. Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, shkroi ai.

Më tej Hoti shkroi edhe për problemin te buxheti i Komunave, për çka tha se lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna.

“Grantet e ndara për komuna bëhen sipas formulës së ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto tri vite të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo”, tha ai.

Sipas Hotit, problem madhor në këto tri vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit.

“Problem madhor i buxhetit në këto tri vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit. Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, shkroi Hoti në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat