Sindikalistët e “Trepçës” në Komision, kërkojnë largimin e kryeshefit të ndërmarrjes

Aktuale

Sindikalistët e “Trepçës” në Komision, kërkojnë largimin e kryeshefit të ndërmarrjes

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 15:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kompanisë “Trepça”, Ibrahim Januzi bashkë me disa minatorë në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kanë kërkuar largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

Januzi derisa ka kërkuar të realizohen kërkesat e tyre, tha se minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre, dhe qeveria duhet të gjejë zgjidhje sa më shpejtë.

Januzi: Jeta e minatorëve, shëndeti është duke u rrezikuar

Jeta e minatorëve, shëndeti është duke u rrezikuar. Vijmë si përfaqësues të minatorëve dhe të negociojmë për të gjet një zgjidhje, sepse atje situata është e rëndë dhe jemi në ditën e tetë të grevës, ka shumë persona që kanë kërkuar ndihmë. Kjo duhet të shkojë përtej politikes, që të gjendet një zgjidhje, sepse është obligim i yni dhe i juaji. Janë ato tri kërkesa që nuk kanë ndryshuar, kërkesa për realizimin e pagës mujore nga data 6 deri me datën 10, llogaridhënia dhe shkarkimi i menaxhmentit, është po ashtu edhe sigurimi shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të mira në punë, minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre. Shpresojmë që nga ky takim të dalim me një zgjidhje”, tha Januzi.

Islam Ahmeti, anëtar i kryesisë Sindikatës tha se në qoftë se kryeshefi është aq i vlefshëm, ofroni një pozitë më të mirë. I njëjti është shprehur se në asnjë formë nuk duan të shohin në “Trepçë”.

Ahmeti: Ne duam që këtë person mos me pa aty, ose një besë po ua jap vetë kemi me nxjerrë

“Për një person po doni me i mbyt 300 minatorë. Në qoftë se është ai aq i vlefshëm, unë po them dëshironi të bëni president bëni, por ai është njeri i dështuar, nuk ka kurrfarë morali, sepse nëne kish pas kish dhënë dorëheqje vet... Janë njerëzit që 8 ditë nuk i kanë parë fëmijët e vet, nuk kanë fol me ta. Të dëgjohet një person i cili nuk ja dëshiron të mirën shtetit, e tash të mbrohet që nuk e di kush po e mbron kaq shumë, më të vërtetë jemi befasuar me këto sjellje. Unë jam dëshmitar që ky njeri në çdo gjë është i dështuar. Ne duam që këtë person mos me pa aty, ose një besë po ua jap vetë kemi me nxjerrë", tha Ahmeti.

Edhe Gani Osmani ka bërë apel te qeveria që të gjeje një zgjidhje për këtë çështje. Sipas tij, kërkesat nuk janë politike, porse janë të mundshme.

Osmani: Kërkesat nuk janë politike janë të mundshme

"Kisha me bërë një apel edhe tek qeveria në pushtet, edhe tek opozita dhe gjithë tjerët, që shteti të bëjë një rrugëzgjidhje për ata njerëz, çdo minutë është i madh. Gjithkund bëhet politikë veç në ‘Trepçë’ jo. Kemi përvojë edhe me sindikatat e mëhershme e qeveritë, minatorët punojnë, politikë nuk bëjnë. Ata janë të bashkuar, punojnë bashkë, mirëpo edhe kërkojnë djersën e tyre që ju takon ligji. Kërkesat nuk janë politike janë të mundshme", tha Osmani.

Ndërkaq, minatori Sami Peci mes lotëve ka kërkuar nga qeveria të gjejë një zgjidhje për minatorët.

Peci: Shpëtoni jetën minatorëve, lëreni inatin

“Kërkesat janë të kuptuara, por kisha pas një thirrje prej gjithë qeveritareve, deputeteve nga të gjithë partitë, leni inatet sa i përket çështjeve të minatorëve. Ne nuk kemi të bëjmë me politikë, por mos na detyroni të hymë në politikë. Që doni të qoni minierën përpjetë, të fillojë punën, gjeni njeriun që punon për miniere pa dallime politike, bëhuni së bashku që doni të shpëtoni jetën minatorëve. Shpetoni jetën minatorëve. Për çështjen e minatorëve lenë inatin, sepse minutat janë në pyetje dhe jo orët”, tha Peci.

Ndërkaq, sipas kryetares së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kjo grevë nuk ka bazë. E njëjta ka kërkuar që të bëhet një vlerësim i punës së ushtruesi të detyrës dhe jo të kërcënohet.

Kusari-Lila: Është e dhimbshme që me ardhur në vitin 2023, me thanë që kjo grevë nuk e ka bazë

“Jemi shumë të vetëdijshëm për rrethanat dhe situatën e vështirësuar, kjo është arsyeja që të takohemi bashkë...E thatë me të drejtë që minatorët nuk duan politikë, greva ka pas gjatë gjitha qeverive... Në këtë grevë ju keni hyrë në ditën kur janë ekzekutuar pagat faktin, plotësisht të vetëdijshëm për faktin që pagat janë vonuar se ka qenë data 24, gjithashtu e dimë që ka humbje të mëdha në “Trepçë”, që tregon se ka nevojë për rishikim përmbajtjesor të produktivitetit brenda dhe secila ditë që po shkon janë afërisht humbje 50 mijë euro. Tash në situatën të cilën kësaj radhe ka ndodhë greva është paksa problematike, për arsyeje se kur kërkohen kërkesat e Këshillit Grevist, nuk ka të tillë, pra po themi që janë gjithë minatorët. Ndërsa, sipas asaj që kemi marrë zyrtarisht, kërkesa për pagën është heq, për sigurimin është heq, ka mbet një valide, atë dy ditë pas greve shkarkimi i kryeshefit... Është e dhimbshme që me ardhë në vitin 2023, me thanë që kjo grevë nuk e ka bazën...Nuk ka pas organizim nga sindikata, gjitha këto që parashihen në nenin 6 e 8, paralajmërimi shtatë ditë përpara, ”, tha Kusari-Lila.

Për këtë, Januzi i është kundërpërgjigjur Kusari-Lilës, se nuk është e informuar për gjendjen organizative dhe vendimmarrjen që funksionon në “Trepçë”.

Januzi: Më duket se ju nuk jeni të informuar se çfarë gjendje organizative dhe vendimmarrje funksionon

“Nuk është vetëm një kërkesë, janë tri, mirëpo ndoshta edhe për shkak te emocioneve, duheni të na mirëkuptoni. Sa i përket organizimit të grevës sindikale dhe pasojat për mua si sindikalist nuk do të flasim tani, kjo ka ardhur si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshmeve, shantazheve ndaj minatorëve nga kryeshefi ekzekutiv. Një javë më përpara minatorët kanë kërkuar arsyetim për mosdhënien e pagës, e cila pas rolit tonë si sindikatë kemi arrit që në ditën e dytë të ndërpremë grevën, mirëpo ata nuk kanë pranuar të jenë në Këshill Grevist për arsyet se kanë filluar hakmarrjet, ose ndjekje e tyre, dhe ka qenë vendim i vet minatorëve të fillojnë grevën...Më duket se ju nuk jeni të informuar se çfarë gjendje organizative dhe vendimmarrje funksionon”, tha Januzi.

Ndërsa, deputeti nga AAK, Pal Lekaj tha se ka informacione që ministrja ndodhet në Kosovë dhe ka thirr në takim kryeshefin e “Trepçës”.

Lekaj: Sipas informacioneve që kam, ajo sot ka thirr kryeshefin në takim në ministri

Më vjen keq që kemi ardhur deri tek kjo gjendje, aspak e papranueshme, as për mua si deputet e as për qytetarët. Duhet të jetë e papranueshme edhe për qeverinë dhe ata që e kanë përgjegjësinë që në këtë rast për një ushtrues detyre, kryeshef të ekzekutivit që të rrezikohen jetë të minatorëve është e pakuptimtë, dhe nuk dihet si ta shpjegojmë. Nuk ka detyrë më primare se sot i tërë kabineti qeveritar të mblidhet dhe të jep zgjidhje e t’i realizojë kërkesat e juaja legjitime, sidomos kur kemi të bëjmë me një kryeshef të padëgjueshëm, dhe që ka sjellë në këtë gjendje Trepçën që për rreth 12 për qind nuk e ka realizuar planin. Është me të ardhur keq, kur ministrja nuk vjen në komisionin që kemi kërkuar të raportojë për gjendjen e minatorëve. Sipas informacioneve që kam, ajo sot ka thirr kryeshefin në takim në ministrinë, ndërsa zyrtarisht na thotë se është jashtë vendit”, tha Lekaj.

Lekaj ka kërkuar po ashtu që ministrja ta shkarkojë kryeshefin e Trepçës.

Edhe deputetja nga LDK, Valentina Rexhepi-Bunajku tha se kërkesat e minatorëve janë të arsyeshme dhe duhet të zbatohen. Ajo shtoi se si opozitë janë të gatshëm të bashkëpunojnë për t’i përmirësuar kushtet e minatorëve, porse qeveria nuk është e gatshme të bashkëpunojë.

Rexhepi-Bunajku: Ne si opozitë jemi në gjendje të bashkëpunojmë por nuk kemi me kënd, ne jemi me ju

“Edhe kërkesa juaj që të na takoni neve si deputetë ish dashtë të vijë më herët dhe jo të manipulojë Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje. Sido që të jetë për respektin për juve dhe situatën ndjejmë keqardhje. Kërkesat e juaja janë të arsyeshme dhe esenciale. Ndërsa, sa i përket shkarkimit të menaxhmentit, duhet të jap leje mbreti, sepse nuk ka mundësi të shkarkohet ai menaxhmenti pa dhënë pëlqimin mbreti tyre, Albin Kurti. Kështu ne si LDK jemi në gjendje që bashkërisht të formojmë një grup punues dhe t’i ndihmojmë edhe qeverisë dhe juve që të dalim prej kësaj situate që është jashtëzakonisht e rëndë. Mirëpo, ne si opozitë jemi të pafuqishëm të ndikojmë dhe të bashkëpunojmë me qeveri, nuk duan bashkëpunim. Ne si opozitë jemi në gjendje të bashkëpunojmë por nuk kemi me kënd, por ne jemi me ju”, tha Rexhepi-Bunjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat