​Mustafa: Qeveria “zhvillimin e hovshëm ekonomik” duhej ta ndante me shërbyesit civilë

Aktuale

​Mustafa: Qeveria “zhvillimin e hovshëm ekonomik” duhej ta ndante me shërbyesit civilë

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:37
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa deklaroi se gjatë mandatit të qeverisë aktuale, investimet kapitale janë minimale.

Sipas tij, inflacioni në produktet ushqimore gjatë këtyre tri viteve është mbi 100 për qind. Teksa komentoi deklaratat e udhëheqësve për zhvillim të hovshëm ekonomik, Mustafa në seancën e jashtëzakonshme tha se një gjë e tillë do të duhej të ndahej me shërbyesit civilë në vend.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Mustafa tha se është fatkeqësi që sa herë diskutohen tema të rëndësishme, partia në pushtet refuzon të debatojë.

“Në këto tri vite të këtij pushteti, në mënyrë kumulative inflacioni ka kaluar shifrën mbi 20 për qind. Ndërkaq, nëse e analizojmë inflacionin te produktet esenciale në shumicën e tyre, ajo tejkalon edhe normën prej 100 për qind. Pra, inflacioni te produktet ushqimore në këto tri vite është mbi 100 për qind, tek energjia mbi 100 për qind, te derivatet gati 100 për qind shtrenjtim në këto tri vitet e kaluara. Nëse flasim pastaj për punën, ose thënë ndryshe për mos punën e qeverisë, në këto tri vite investimet kapitale ose realizimi i tyre krahas buxhetit të planifikuar është minimal. Në secilin vit është keq e më keq, realizimi i investimeve kapitale”, deklaroi Mustafa.

Tutje, Mustafa tha se skemat sociale të qeverisë nuk ofrojnë zhvillim ekonomik e as zgjidhje afatgjate.

“Një qeveri, e cila ka deklaruar se kanë arritur një zhvillim të pashembullt, e këtu e them me cinizëm ose e vlerësoj me cinizëm deklaratën e tyre, këtë zhvillim të hovshëm në thonjëza ekonomik, janë të pa vullnetshëm ta ndajnë me qytetarët e tyre ose me shërbyesit civilë të tyre, që nëse është e vërtetë që kanë arritur përmes projekteve të kësaj qeverie, të kenë një zhvillim të pashembullt ekonomik, mos të harrojnë që këta shërbyes civilë janë ata të cilët e kanë realizuar vizionin e tyre, programin e tyre. Të paktën, do të duhej që të ndanin këtë zhvillim të hovshëm ose të pashembullt ekonomik me po këta zyrtarë që u kanë ekzekutuar këtë vizion”, shtoi ai.

Seanca e jashtëzakonshme me debatin parlamentar të ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon, ndërkohë që të pranishëm nuk janë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat