Haxhiu: Ndërkombëtarët ta shohin Serbinë si vend ku strehohen kriminelët

Aktuale

Haxhiu: Ndërkombëtarët ta shohin Serbinë si vend ku strehohen kriminelët

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 23:29
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk mund të shkëputet ngjarja e 24 shtatorit me procesin e dialogut. Sipas saj, po bëhet fjalë për shtetin e njëjtë, për persona të njëjtë.

“Prandaj kryeministri Kurti në takimet që ka pasur me emisarët Lajçak e Escobar është bërë e ditur qasja që ka Qeveria e Republikës së Kosovës dhe është me rëndësi që fokusi të vendoset te siguria për qytetarët e Kosovës. Sulmi terrorist nuk mund të shkojë pa u sanksionuar, rrjedhimisht çfarë kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, njësoj sikurse ka vepruar Kosova për sanksionet për grupet terroriste të organizuara dhe Serbia duhet të ndëshkohet për veprime terroriste që ka ndërmarrë në territorin e Kosovës”, ka nënvizuar ajo.

Lidhur me vizitën e pesëshes që vizitoi Kosovën ditë më parë, për ç’gjë u komentua se kanë ofruar ofertën e tipit: merre ose lëre, ministrja Haxhiu e mohoi këtë ide, duke thënë se nuk ka pasur një diçka e tillë.

“Emisarët e kanë paraqitur këndvështrimet e tyre për këtë proces, por në anën tjetër ne kemi qëndrimet tona dhe kemi thënë që fokusi të vendoset te zbatimi i marrëveshjes”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërkaq për deklarimin e sotëm nga BE-ja për Asociacionin, si një propozim modern, ministrja Haxhiu ka thënë se qasja e ndërmjetësuesve ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, jo vetëm sa u përket kërkesave që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me masat që kanë vendosur ndaj Republikës së Kosovës.

Ministrja Haxhiu ka thënë se ndërkombëtarët duhet ta shohin Serbinë si vend ku strehohen kriminelët.

“Jemi të vetëdijshëm se rreziku ekziston ende, prandaj nuk mund të themi se nuk duhet të jemi të përgatitur, por duhet të jemi vigjilent, të vendosur në raport me zhvillimet”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se dëshmitë që i kanë dhënë kryeministri Kurti, ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë së Kosovës, për sulmin në Banjskë të Zveçanit, për llojet e armatimeve që janë konfiskuar, përfshirjen e Radojiçiqit, askush nuk mund t’i hedhë poshtë.

Ajo ka theksuar se vetëm Kosova ka juridiksion për të hetuar e gjykuar atë që ka ndodhur më 24 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat