“Ka të bëjë me frikën e kriminelëve ish-pushtetarë”/ Bytyçi komenton serinë e re të kërcënimeve në Kosovë, përmend shërbimin sekret serb

Aktuale

“Ka të bëjë me frikën e kriminelëve ish-pushtetarë”/ Bytyçi komenton serinë e re të kërcënimeve në Kosovë, përmend shërbimin sekret serb

Nga: M.L. Më: 20 tetor 2023 Në ora: 11:06
Foto ilustrim

Ditëve të fundit janë publikuar informacione se zyrtarë shtetërorë dhe udhëheqës të institucioneve ishin cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia.

Mes tyre, ishin presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alena Reshitaj.

Dy të fundit kanë njoftuar se rastet i kanë paraqitur në polici, derisa kërcënuesi i ministres Haxhiu raportohet se është arrestuar.

Këto raste i ka komentuar në Facebook, publicisti Prof. Dr. Enver Bytyçi. Ai ka shkruar se faktor kryesorë i këtyre kërcënimeve është se shërbimi sekret i Serbisë së Aleksandër Vuçiç dhe Aleksandër Vulin, sidomos pas dështimit të aktit terrorist të 24 shtatorit, orientohen nga nxitja dhe mbështetja e akteve terroriste.

Sipas tij, rikthimi i këtyre akteve është projekt strategjik i Serbisë, sepse me aktet e terrorit të brendshëm tërhiqet vëmendja e opinionit ndërkombëtar në dëm të Kosovës e kjo shërben si municion për rikthimin e imazhit pozitiv të Serbisë.

Postimi i plotë:

Pse ka nis seria e kërcënimeve në Kosovë?

Enver Bytyçi

Dje u bë e ditur se është kërcënuar ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu. Para pak ditësh presidentja Osmani foli për kërcënime, reale deri me jetë, nëse ajo “nuk do të dekretonte prokurorin e përzgjedhur nga mafia dhe krimi i organizuar”! Vitin e fundit është kërcënuar me jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministrin Kurti dhe ministrin e Brendshëm Zveçla i kërcënoi para disa muajsh edhe banda e Radoiçiçit nga veriu I Kosovës, madje drejt për drejt edhe kreu i shtetit të Serbisë. Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi, kur thoshte se “do ta shohim fundin”! Fundi u duk me 24 shtator. Megjithatë ka filluar sërishmi seria e kërcënimeve.

Çfarë po ndodh? Pse gjithë këto kërcënime? Janë dy faktorë. Kryesore është se shërbimi sekret i Serbisë së Aleksandër Vuçiç dhe Aleksandër Vulin, sidomos pas dështimit të aktit terrorist të 24 shtatorit, orientohen nga nxitja dhe mbështetja e akteve terroriste. Mundësisht duke aktivizuar shqiptarët spiunë të Beogradit. E dyta ka të bëjë me frikën e kriminelëve ish-pushtetarë, të cilët kanë bërë krime dhe kanë grabitur pasuritë e Kosovës. Kjo e dyta shfrytëzohet nga shërbimet serbe për të rikthyer aktet terroriste në vend.

Rikthimi i këtyre akteve është projekt strategjik i Serbisë, sepse me aktet e terrorit të brendshëm tërhiqet vëmendja e opinionit ndërkombëtar në dëm të Kosovës e kjo shërben si municion për rikthimin e imazhit pozitiv të Serbisë. Por lehtësohet gjithashtu zbatimi i projektit serb të ndarjes së Kosovës. Nuk jam i sigurt për ndonjë rol pozitiv në mbrojtje të Kosovës nga ana e SHIK-ut shqiptar të kryesuar nga zonja Hyseni, e cila i është bashkuar vullnetit të Edi Ramës. Nuk e di nëse ajo është vënë aty për të bashkëpunuar me shërbimin sekret të Kosovës apo të Serbisë! Por qofsha i gabuar! Nuk pres që shërbimi sekret shqiptar të kontribuojë për të parandaluar ndonjë akt terrorist tjetër në Kosovë.

Prandaj dhe përgjegjësia e institucioneve të Kosovës është e madhe. Ato duhet ta përballojnë të vetme edhe këtë sfidë. Shembulli i reagimit të policisë së shtetit më 24 shtator duhet të bëhet mësim për ta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat