Zyra e Macron sqaron qëndrimin e Francës për çështjen e vizave të Kosovës

Aktuale

Zyra e Macron sqaron qëndrimin e Francës për çështjen e vizave të Kosovës

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 14:20
Emanuel Macron

Zyra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ‘mbetet e hapur’, në një deklaratë për shtyp të martën pas deklarimit publik të presidentit Macron lidhur me pezullimin e procesit të vizave.

Presidenti Macron tha të martën në Tiranë se Franca mund ta pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, për shkak “të mos respektimit të fjalës së dhënë”, duke e akuzuar Kosovën se nuk e mbajti fjalën e dhënë për formimin e Asociacionit.

Nga Zyra e Presidentit të Francës, janë sqaruar lidhur me këtë çështje përmes një deklarate për mediat shqiptare.

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”, tha Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për mediumin ABC News.

“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Macron.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat