Tahiri: 2024 do të jetë vit i eksodit

Aktuale

Tahiri: 2024 do të jetë vit i eksodit

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 15:53
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se janari i vitit 2024 do të jetë vit i eksodit. Ai kritikoi qeverinë e vendit, ku tha se po i neglizhon temat që janë të rëndësisë së lartë për Kosovën.

Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë theksoi po ashtu se pati një debat të gjerë rreth asaj se cili është roli i shumicës dhe opozitës në mbarëvajtjen e Kuvendit.

Ai para gazetarëve u shpreh se Kosova është në një bllokadë dhe se Bashkimi Evropian po vazhdon me sanksionet.

“Pozicioni im në këtë mbledhje ishte i thjesht, opozita i ka instrumentet e veta demokratike të garantuara me Kushtetutë, 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, 40 nënshkrime për Komisione hetimore, pyetjet parlamentare dhe puna e komisioneve funksionale. Të gjitha këto nuk mund t’i ndajë as Albin Kurti, as Vetëvendosje dhe as askush. Dhe është mirë që seanca e radhës e jashtëzakonshme të ndodhë të enjten. Ajo që mund të ju them zyrtarëve publik, mbi 80 mijë që janë në administratën shtetërore është se GP i AAK-së të martën do të cakton në ora 13 seancën për diskutimin e koeficientit, rritjen e tij nga 105 në 129”, deklaroi ai.

Tahiri shtoi se janari i vitit të ardhshëm mund të jetë një vit i eksodit.

“24 shtatori ka qenë një sulm terrorist ndaj Kosovës, sovranitetit tonë, i sponsorizuar nga Serbia. Këtë as nuk duhet ta përdor qeveria, as nuk duhet ta përdorim ne. Sepse është detyrë e jona, është detyrë e një deputeti që të mbrojë sovranitetin. Ajo që ne si Aleancë na dhemb është totalisht neglizhenca e qeverisë në raport me temat që janë kruciale për vendin tonë. Ekonomia e Kosovës është para një bllokade, nuk është vështirë për ta kuptuar. Humbja e shpresës në sektorin publik kurrë s’ka qenë më e madhe, duke u nisur prej policëve edhe gjithë të tjerëve. Jemi të brengosur për janarin e vitit 2024 që do të jetë vit i eksodit”, përfundoi ai.

Shefi i deputetëve të AAK-së shtoi se mbajtja e Samitit të Berlinit në Tiranë, është lajm i mirë për gjithë shqiptarët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat