Mbi 150 persona të helmuar, mish të asgjësuar, mbyllje e lokalit – çfarë dihet deri tani për rastin në Malishevë

Aktuale

Mbi 150 persona të helmuar, mish të asgjësuar, mbyllje e lokalit – çfarë dihet deri tani për rastin në Malishevë

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 08:32
Foto ilustrim

Mbi 150 persona janë paraqitur me simptoma të helmimit ditën e premte dhe të shtunë në Komunën e Malishevës, ku disa prej tyre janë duke u trajtuar në spitalin e Prizrenit dhe në QKUK.

Qytetarët dyshohet se u helmuan nga ushqimi që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

Komuna e Malishevës në reagimin e bërë theksoi se situata është nën kontroll, ndërsa numri i të helmuarve ka arritur në 158.

“Është rritur në 158 raste numri i personave të helmuar, por situata është nën kontrollë dhe po monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente. Sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha dhe drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, pavarësisht rritjes së numrit të personave të helmuar, situata është nën kontrollë të plotë dhe janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë inspektimin e lokalit dhe ka asgjësuar mbi 60 kilogram mish.

“Janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore: 2 mostra nga sosat, 1 mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar pleskavicë qofte të papërpunuara Dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit. Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative në bashkëpunim me IKSHP. Të gjitha mostrat janë nisur për laboratorin e IKSHP Prishtinë ku edhe do të testohen në disa parametra. Pas përfundimit të mostrimit produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar sasia totale 64 kg, kryesisht mish, produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, theksoi ai.

Lidhur me rastin, policia ka arrestuar pronarin e lokalit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat