Bislimi: Vuçiqi konsolidon grupe kriminale në të dyja anët e kufirit

Aktuale

Bislimi: Vuçiqi konsolidon grupe kriminale në të dyja anët e kufirit

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 22:03
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiqi, për konsolidim me grupe kriminale në të dy anët e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviçin.

“Vuçiqi ka konsoliduar në të dy anët e kufirit grupe kriminale. Në njërin prej tyre, kryesor kemi Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviçin, por duhet të themi se këto nuk janë grupet e vetme kriminale, që janë krijuar dhe forcuar në të dy anët e kufirit”, ka deklaruar ai.

Bislimi, ka theksuar nevojën që Serbia të heqë dorë nga veprimet dhe mjete të dhunshme, duke thënë se sulmi terrorist i datës 24 shtatorit, “nuk është akti i parë, nuk do të jetë i fundit dhe nuk është as akti kryesor i kësaj drame”.

Bislimi gjithashtu ka vlerësuar se deri më tani përpjekjet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë janë bërë gabimisht, dhe pala ndërkombëtare ka pasur nevojë ta bindë Serbinë për rëndësinë e këtij dialogu.

“Që nga fillimi i dialogut Kosovës i është thënë në vazhdimësi se dialogu në Bruksel nuk ka asnjë alternativë por si duket se përpjekja ka qenë gjithmonë e gabuar, pala ndërkombëtare është dashur ta bind Serbinë që dialogu nuk ka alternativë për arsye se me veprimin e datës 24 shtator Serbia po tregon se ajo beson në alternativa që shkojnë përtej Brukselit”, ka thënë ai në konferencën e organizuar nga Instituti Octopus me titull “Sulmi terrorist serb në Banjska: Implikimet rajonale dhe gjeopolitike”.

Po ashtu, ai ka vlerësuar se sulmi terrorist në Banjskë ka rritur tensionet në rajon dhe se qëllimi i atij sulmi ishte për të përfituar territor.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka shtuar se Serbia ishte e kujdesshme për të mos pritur dështimin e këtij aksioni, por dështimi e ka bërë atë të humbasë ritmin.

“Për momentin, Vuçici është në defanzivë sepse nuk e ka pritur dështimin e aksionit prandaj edhe po mundohet që ta distancojë veten duke thënë se kjo nuk është në interes të Serbisë.  Në fakt, është fakt që dështimi nuk ka qenë në interes të Serbisë, por plani i 24 shtatorit nuk është përgatitur me idenë se do të dështojë. Sepse Serbia ka qëndruar prapa saj, duhet të konkludohet duke paramenduar suksesin e këtij hapi dhe jo dështimin e tij”, ka thënë Bislimi.

Gjithashtu, sipas tij, gjithkush e ka kuptuar që Serbia përdor mjete të dhunshme për të përfituar territor dhe “kjo ka qenë gjithmonë e tillë, nuk do të ndryshojë tani e as nuk do të ndryshojë as në të ardhmen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat