Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzon kërkesën për ekstradim të Dritan Goxhajt, urdhërohet lirimi i tij

Aktuale

Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzon kërkesën për ekstradim të Dritan Goxhajt, urdhërohet lirimi i tij

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 15:28
Dritan Goxhaj

Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, për ekstradim të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Dritan Goxhaj, i cili u arrestua më 31 korrik 2023, nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë.

Vendimi që ndalon ekstradimin e Goxhajt është marrë të martën nga kryetari i turpit gjykues, Genti Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

“Në përfundim të gjykimit në apel, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi: Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.  Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit Dritan Goxhaj nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Apelit.

Po ashtu, nëpërmjet kësaj përgjigje, Gjykata e Apelit në Tiranë njoftoi se është urdhëruar edhe heqja e masës së arrestit në burg për Dritan Goxhajn.

“Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin Dritan Goxhaj, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane”, thuhet në përgjigje.

Sipas Gjykatës së Apelit, me anë të këtij aktvendimi është urdhëruar dhe lirimi i Dritan Goxhajt, nëse ai nuk po mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.“Urdherohet lirimi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se në shtator, Gjykata e Tiranës kishte marrë vendim që të ekstradohet në Holandë ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.

Ndryshe, më 31 korrik 2023, me fletarrest të Gjykatës Speciale ishte arrestuar ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë.

Siç bëhej e ditur në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Goxhaj është arrestuar nga autoritetet e Shqipërisë në Tiranë.

“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me  vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhej në njoftimin e DhSK-së.

Tutje, në njoftimin e DHSK-së, thuhej se Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri deri në vendimin e autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.

“Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, përfundon njoftimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat