Hyseni për sulmet në Izrael: U përjetua sërish një Holokaust

Aktuale

Hyseni për sulmet në Izrael: U përjetua sërish një Holokaust

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 21:29
Hysen Hyseni

Hysen Hyseni, kryetar i Bashkisë Hebreje BET Israel – Kosova, ka thënë se nga ajo çfarë është parë duke ndodhur në luftimet në mes të Izraelit dhe Hamasit, është përjetuar sërish një “Holokaust”.

Kështu është shprehur ai në emisionin “Debat Plus”, teksa është pyetur se si u zu në befasi Izraeli gjatë sulmit të së shtunës.

“Ky sulm dhe kjo gjendje aktuale është shumë komplekse. Ajo që është më e keqja është se ne kemi kujtuar një holokaust prapë, janë prekur fëmijët, gratë, pleqtë, rinia në një festival, integriteti i riteve fetare. Mënyra dhe çka ka ndodhur atje është e barabartë me Holokaustin, një terror i nivelit më të ultë që mundet të ndodhë”, u shpreh ai.

Imeri: Problemi dhe konflikti është provokuar nga Irani

Në anën tjetër, aktivisti Arlind Imeri, ka thënë se problemi dhe konflikti është provokuar nga Irani

Sipas tij, ky grup terrorist sulmet i bën prej ndërtesave ku ka civilë.

“Nuk është e drejtë të krahasohet lufta e Kosovës me luftën e një grupi terrorist që nuk është e drejtë sepse UCK nuk ka luftuar kundër grave dhe fëmijëve por kundër një regjimi sikur ai i Millosheviqit. Është një grup terrorist që në vazhdimësi është përkrahur nga shteti i Iranit. Nuk mbrohet shteti duke vrarë civil. Ky grup terrorist sulmet i bën prej ndërtesave ku ka civilë. Sulmi i këtij grupi terrorist ka qenë direkt ndaj civilëve të Izraelit dhe jo ndaj caqeve ushtarake izraelite”, ka thënë ai.

Qindra njerëz janë vrarë e mijëra të tjerë janë plagosur që nga mëngjesi i 7 tetorit kur Izraeli u sulmua nga grupi militant Hamas.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se shteti i tij është “në luftë” dhe paralajmëroi goditje të fuqishme ndaj grupit militant Hamas, luftëtarët e të cilit kaluan kufirin tokësor dhe u përleshën me forcat izraelite.

SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera të botës i dhanë mbështetje Izraelit në luftën kundër militantëve të Hamasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat