Dështoi konstituuimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, dy deputetët e VV’së tregojnë pse s’morën pjesë

Aktuale

Dështoi konstituuimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, dy deputetët e VV’së tregojnë pse s’morën pjesë

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica- Xhelili, ka thënë se nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit Hetimor për Rezervat Shtetërore. Sipas saj kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së deputetëve.

Dy deputetë e VV’së, Halil Thaçi dhe Armend Muja, që janë anëtarë në këtë komision kanë treguar arsyen.

Sot nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit Hetimor për Rezervat Shtetërore, i cili u themelua nga Kuvendi i Kosovës më 21 shtator pas shumë orë diskutimesh. Këtë e ka konfirmuar Doarca Kica- Xhelili nga LDK.

Ajo tha se nuk është arritur konstituuimi i komisionit për shkak të mungesës së deputetëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje.

“Isha në Komision Hetimor në Kuvend për Rezervat Shtetërore (SKANDALI i vajit, miellit etj).  Deputetët e VV nuk erdhën. Komisioni nuk u konstituua”, ka shkruar Kica- Xhelili.

Media ka pyetur dy nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë anëtarë në këtë komision hetimor, Armend Muja dhe Halil Thaçi.

Muja ka thënë se është njoftuar për këtë mbledhje në kohën kur ka qenë në mbledhje të Komisionit për Buxhet.

“Unë aktualisht jam në mbledhje të Komisionit për Buxhet e cila mbahet çdo të mërkurë nga ora 10:00. Duke hyrë në mbledhje jam njoftuar që qenka ftuar një mbledhje e Komisionit Hetimor në orën e njëjtë. Si rregull, mbledhjet dhe ftesa dërgohet me kohë dhe tri ditë më herët”, tha Muja.

Ndërsa deputeti tjetër, Halil Thaçi, tha se është informuar me vonesë për mbledhjen.

“Unë nuk e di kush ka marrë pjesë por unë kam pas angazhime të tjera dhe jam informuar me vonesë për këtë mbledhje të komisionit, pra dje kam marrë email”, tha Thaçi.

Deputetja në opozitë, Kica- Xhelili ka thënë se deputetët e VV’së mundësinë e radhës e kanë në orën 15:00.

“Mundësinë e radhës e kanë në orën 15:00, sepse ne nuk heqim dorë!”, ka thënë ajo.

Për këtë, deputeti Thaçi tha se nuk e di nëse do të marrë pjesë në mbledhjen në orën 15:00, ndërsa Muja nuk është informuar për këtë.

“Ne sot kemi seancë dhe ka pika të rëndësishme për votim prandaj edhe shkuarja ime varet prej rrjedhës së seancës së sotme”, ka thënë Thaçi.

“Pse është edhe një mbledhje tjetër? Unë ende jam në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe menjëherë në orën 13:00 ka seancë të Kuvendit ku duhet të referoj disa pika”, tha ai.

Muja e konsideroi joserioze që nuk ka informacione se kur mbahen mbledhjet ku ai është anëtar.

Pro themelimit të këtij komisioni kishin votuar 69 deputetë, një kundër dhe gjashtë kanë abstenuar.

Anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes në këtë komision janë Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi dhe Sali Zyba, ndërsa nga PDK janë Rashit Qalaj kryesues dhe Ferat Shala anëtar.

Nga LDK është zgjedhur zëvendëskryesuesi/ja – Valentina Bunjaku dhe Doarsa Kica- Xhelili anëtare. Ndërkq AAK e ka Pal Lekajn anëtar dhe Erxhan Galushi është zgjedhur anëtar nga grupi multietnik.

Lidhur me raportimet për rezervat shtetërore, në gusht u patën arrestuar tre persona të dyshuar – Ridvan Muharremi, pronar i restorantit “Bukë e zemër” dhe dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Ata më pas janë liruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat